Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin, ku po diskutohen sfidat aktuale të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë.
Në kuadër të kësaj konference, Maqedonci është ftuar si panelist në një debat të nivelit të lartë me temën “Parandalimi përmes vigjilencës: Si të frenohet ndërhyrja ruse?”.
Në këtë diskutim, krahas ministrit kosovar, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Gjermanisë.
Sipas njoftimit, gjatë panelit është diskutuar për kërcënimet që vijnë nga ndërhyrjet dhe ndikimi rus, sfidat e sigurisë evropiane, si dhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Konferenca e Sigurisë në Berlin mbledh përfaqësues të lartë politikë, diplomatikë dhe ushtarakë nga vende të ndryshme për të diskutuar çështje të rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Kosova mbetet e përkushtuar në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe në kontributin për sigurinë rajonale e ndërkombëtare, në bashkëpunim me partnerët strategjikë. /Telegrafi/

