Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Puls”, Prokuroria vazhdoi me paraqitjen e provave materiale, ku si provë u prezantua një licencë e lëshuar në vitin 2012 nga Ministria e Ekonomisë.
Pas prezantimit të provës, mbrojtja kërkoi që Prokuroria ta lexojë publikisht pjesën e licencës ku përcaktohet për cilin objekt dhe për cilën lokacion është lëshuar, si dhe për cilin objekt personi juridik kishte të drejtë të ushtronte veprimtari hotelierike mbi bazën e asaj licence.
Nga shqyrtimi i provës materiale të paraqitur në sallën e gjyqit, rezulton se licenca ishte lëshuar për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike – kabare, në një objekt në rrugën “Dimitar Vllahov” p.n. në Koçan, që është një lokacion tjetër nga rruga “Krizhevska”, ku ndodhet objekti “Puls” dhe ku më 16 mars 2025 ndodhi ngjarja tragjike.
Njëkohësisht, sipas mbrojtjes, nga vetë dokumenti rezulton gjithashtu se licenca i referohej një personi tjetër juridik dhe se kishte vlefshmëri kohore prej një viti.
Mbrojtja në sallën e gjyqit ngriti pyetjen se si një licencë me afat të kufizuar vlefshmërie, e lëshuar për një lokacion tjetër dhe për një subjekt tjetër juridik, mund të vihet në lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë me tragjedinë që ndodhi 13 vjet më vonë, në një objekt tjetër dhe në rrethana krejtësisht të ndryshme faktike.
Avokatët theksuan se, në përputhje me Ligjin për Veprimtari Hoteliere, licencat lëshohen për një objekt konkret, për një veprimtari konkrete dhe me afat të kufizuar kohor, ndërsa licenca e vitit 2012 nuk përbënte leje që personi juridik të ushtronte veprimtari në një lokacion tjetër, të punonte si diskotekë në vend të kabare-së, të pranonte numër më të madh vizitorësh se sa lejohet, të lejonte praninë e të miturve në kundërshtim me kufizimet ligjore apo në objekt të përdoreshin mjete piroteknike në mënyrë të palejuar.
Sipas mbrojtjes, pikërisht këto rrethana janë kyçe për përcaktimin e saktë të gjendjes faktike dhe të përgjegjësisë individuale në vazhdimin e procedurës.
