Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Gjatë takimit, Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë ndaj Kosovës, që nga njohja e pavarësisë e deri te përkrahja për zhvillimin e vendit dhe përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes së mjedisit, duke veçuar edhe rëndësinë e programeve të bursave MEXT për studentët kosovarë, transmeton Klankosova.tv.
Presidentja theksoi nevojën për avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes marrëveshjeve për mbrojtjen e investimeve dhe eliminimin e tatimit të dyfishtë.
Po ashtu, ajo ngriti çështjen e lehtësimit të udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës në Japoni dhe kërkoi mbështetjen e mëtejshme të këtij shteti për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Shiroka Pula vlerësoi rolin e Japonisë në forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

