Shefi i Sektorit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertruda, ka bërë thirrje që zyrtarët publikë të përmbahen nga sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.
Deklarata e tij u bë gjatë lansimit të raportit të Platformës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.
“Zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga sulmet ndaj medias dhe gazetarëve”, ka thënë Gertruda, duke theksuar rëndësinë e një ambienti të sigurt për punën e gazetarëve.
Ai ka kërkuar gjithashtu konsultime më të gjera gjatë hartimit të ligjeve të reja për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
“Duhet të ketë konsultime të gjera për ligjet e reja që lidhen me KPM-në dhe RTK-në, në mënyrë që proceset të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, është shprehur ai.
Gertruda ka theksuar edhe nevojën për më shumë transparencë në lidhje me pronësinë e mediave, duke e cilësuar këtë si një element të rëndësishëm për forcimin e lirisë së shprehjes dhe besimit të publikut.
“Transparenca më e madhe e pronësisë së mediave është thelbësore për një ekosistem të shëndetshëm mediatik”, ka deklaruar shefi i Sektorit Politik të BE-së në Kosovë.
Bashkimi Evropian vazhdon të vlerësojë mbrojtjen e gazetarëve, lirinë e medias dhe qasjen në informim si pjesë të rëndësishme të standardeve demokratike dhe procesit të integrimit evropian të Kosovës. /Telegrafi/
