Në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, parashikohet se ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të ketë rritje të ngadaltë gjatë viteve 2026–2027, në linjë me trendin rajonal dhe ndikimet nga pasiguritë globale.
Sipas të dhënave të paraqitura në raport, rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të Kosovës pritet të jetë 3.7% në vitin 2026 dhe 3.9% në vitin 2027, duke shënuar një përmirësim të lehtë krahasuar me disa ekonomi të rajonit, por ende nën potencialin e plotë zhvillimor.
Raporti thekson se një nga sfidat kryesore për Kosovën dhe rajonin mbetet mungesa e fuqisë punëtore dhe niveli i ulët i pjesëmarrjes në tregun e punës.
“Ballkani Perëndimor ka një rezervë të madhe talenti ende të pashfrytëzuar – gra, të rinj dhe individë që dëshirojnë të punojnë, por përballen me pengesa,” tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Raporti thekson se pasiguria globale, konfliktet dhe presionet inflacioniste po vazhdojnë të ndikojnë në perspektivën ekonomike të rajonit”, përfshirë Kosovën.
Në përmbledhjen për Kosovën thuhet se: “Megjithëse rritja ekonomike u ngadalësua në vitin 2025, ekonomia tregoi qëndrueshmëri mes pasigurive të shtuara.”
Gjithashtu, Banka Botërore paralajmëron se sfidat strukturore mbeten të theksuara.
“Mungesat në tregun e punës dhe emigrimi i vazhdueshëm i të rinjve po kufizojnë potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike në Kosovë.”
Raporti vë në pah se, ndonëse Kosova mban një nivel relativisht stabil të rritjes krahasuar me disa vende të rajonit, kapaciteti i saj për rritje më të shpejtë është i kufizuar nga pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, sidomos e grave dhe të rinjve.
Në analizën rajonale, theksohet se përfshirja më e madhe e fuqisë punëtore mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike, ndërsa mungesa e saj mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillim.
“Zgjerimi i pjesëmarrjes në tregun e punës është thelbësor për perspektivën afatgjatë ekonomike të Ballkanit Perëndimor,” thuhet në raport.
Banka Botërore rekomandon që Kosova të fokusojë politikat në krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe në lehtësimin e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në ekonomi, përmes shërbimeve më të mira sociale dhe trajnimeve profesionale.
Në përgjithësi, raporti vlerëson se Kosova mbetet në një trend pozitiv ekonomik, por me nevojë për reforma strukturore për të përshpejtuar rritjen dhe për të zvogëluar varësinë nga faktorët e jashtëm. /Telegrafi/