Barcelona ka marrë një fitore spektakolare ndaj Rayo Vallecano, duke triumfuar 5-2 dhe duke marrë kreun e tabelës.
Barcelona e nisi ndeshjen në disavantazh, pasi Sergio Camello shënoi në minutën e 12-të pas asistimit të Alvaro Garcias.
Reagimi i katalunasve ishte i menjëhershëm. Raphinha barazoi në minutën e 19-të, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Lamine Yamal realizoi një gol fantastik nga distanca për përmbysjen, 2-1.
Barcelona arriti të shënonte edhe një herë para pushimit përmes Jules Koundes, por goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.
Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan dominimin dhe në minutën e 51-të shënuan për 3-1, pas një autogoli të pafat të Florian Lejeunes, i cili shënoi në portë pas gjuajtjes së Gordon.
Rayo nuk u dorëzua dhe ngushtoi rezultatin në 3-2 në minutën e 59-të, kur Camello realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Megjithatë, Barcelona nuk lejoi një tjetër përmbysje dhe riktheu avantazhin e dyfishtë në minutën e 71-të. Anthony Gordon dha një pasim të bukur në vijën fundore, ndërsa Raphinha e dërgoi topin në rrjetë për 4-2.
Në minutën e fundit të kohës së rregullt, erdhi edhe momenti i Lamine Yamalit. Talenti spanjoll shënoi golin e dytë personal për rezultatin 5-2 dhe vulosi një tjetër paraqitje fantastike.
Kështu, Barcelona regjistroi një fitore bindëse dhe, me këtë triumf, ngjitet në krye të tabelës.
Në qendër të suksesit ishin dyshja Raphinha – Lamine Yamal, të cilët shënuan nga dy gola dhe udhëhoqën katalunasit drejt një fitoreje të madhe. /Telegrafi/
