Përparim Rama iu është kundërpërgjigjur ministrave Basha e Gashani për çështjen e Lojërave Mesdhetare.
Rama ka bërë thirrje që të ndalen të pavërtetat në këtë temë dhe se ka kërkuar punë konkrete.
“BASHA E GASHANI, NDALNI GËNJESHTRAT NË KUVEND! MOS I RREZIKONI LOJËRAT MESDHETARE PËR AGJENDËN TUAJ POPULLISTE!
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë një mundësi historike për Kosovën. Kemi përgjegjësi me e jetësu këtë mundësi dhe me ua lënë brezave një trashëgimi që na bën krenarë.
Deputeti Basha dhe ministri Gashani po e përdorin foltoren e Kuvendit për me mashtru qytetarët dhe me e fsheh përgjegjësinë e Qeverisë përmes akuzave ndaj meje dhe Kryeqytetit. Letrat me vërejtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, drejtuar Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë qartë se ku janë problemet dhe kush duhet t’i përmbushë obligimet.
Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet i qartë: i mbështes Lojërat dhe përfshirjen e qyteteve të tjera, në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar.
Unë dhe Kryeqyteti kemi vetëm 3 nga 12 vota në Komitetin Organizativ. Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e kanë shumicën vendimmarrëse. Përgjegjësinë për vendimet e tyre duhet ta marrin para qytetarëve.
Po kërkojmë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të Masterplanit të hartuar nga profesionistët e të miratuar nga institucionet e Kosovës dhe Komiteti Ndërkombëtar. Çdo zotim i marrë në emër të Kosovës duhet të përmbushet.
Kryeministri Kurti po e përdor këtë ngjarje historike për agjendën e tij populiste, duke nxitur përçarje mes qyteteve dhe duke hedhur akuza për t’iu shmangur përgjegjësisë. Ndërkohë, koha për pagesat, infrastrukturën dhe përmbushjen e obligimeve po kalon.
Rreziku për këtë organizim po vjen nga veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë:
- Mospagesa e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat vetë Qeveria ka dhënë garanci.
- Përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar.
Afatet po mbarojnë. Çdo ditë e humbur e rëndon përgjegjësinë dhe e rrezikon këtë mundësi historike.
QEVERIA DUHET T’I PËRMBUSHË OBLIGIMET E VETA, TANI!
Ne do të vazhdojmë me punu për Prishtinën dhe për Kosovën, me përkushtimin që e kemi pasur që nga dita e parë. Qytetarët meritojnë t’i shohin Lojërat të realizohen me sukses dhe Kosovën të dalë faqebardhë para botës.
Kuvendi meriton dinjitet. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Kosova meriton që fjala e dhënë në emër të saj të mbahet” shkruan Rama në reagim./Indeksonline/

