Grand Theft Auto VI është publikuar zyrtarisht dhe kritikët e kanë pëlqyer jashtë mase.
E hedhur në treg të mërkurën, 13 vjet pas paraardhëses së saj, loja e shumëpritur nga Rockstar Games ka arritur vlerësimin më të lartë të të gjitha kohërave në Metacritic.
Në thelb, sipas kësaj faqeje që grumbullon vlerësime, ajo është bërë menjëherë loja më e vlerësuar ndonjëherë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
GTA 6 ka një vlerësim prej 99 për qind në Metacritic, bazuar në 141 recensione nga kritikë të ndryshëm.
Kjo është një mesatare e pikëve të dhëna nga kritikët, e llogaritur nga stafi i Metacritic përmes një sistemi kompleks që merr parasysh disa deatje.
Metacritic parashikonte se GTA 6 do të arrinte një mesatare prej 96 për qind – një shifër tashmë mbresëlënëse, të cilën loja e ka tejkaluar ndjeshëm.
Në një kthesë befasuese, GTA 6 ka lënë pas edhe lojën që mbante vendin e parë si më e mira e të gjitha kohërave: klasikun e vitit 1998, *The Legend of Zelda: Ocarina of Time* – një titull që së fundmi ishte në qendër të vëmendjes për shkak të versionit të ri të përmirësuar (remastered) nga Nintendo.
Kritikët e kanë përshkruar GTA 6 me epitete të ndryshme, duke e quajtur atë nga “loja më mbresëlënëse që kam luajtur ndonjëherë” e deri te “një kryevepër e dizajnit të botës së hapur”.
Ndërkohë, lojtarët po kalojnë orët e para me lojën dhe po ndajnë reagimet e tyre në kohë reale.
Kujtojmë se loja shumë e pritur Grand Theft Auto VI (GTA 6) është tashmë e disponueshme në Zelandën e Re, ku lojtarët kanë nisur të eksplorojnë botën virtuale të saj.
Rockstar Games ka zgjedhur një lansim gradual, sipas zonave kohore, duke bërë që Zelanda e Re të jetë ndër vendet e para ku loja është bërë e qasshme.
Kështu, lojtarët në këtë vend mund ta luajnë GTA 6 në platformat PlayStation 5 dhe Xbox Series X|S.
Ndërkohë, në SHBA dhe vende të tjera në botë, lansimi digjital është planifikuar për mesnatën e 19 nëntorit, sipas kohës lokale. /Telegrafi/

