Sot, më 28 maj 2026, ka nisur zyrtarisht fushata e partive politike për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Në prag të kësaj gare elektorale, Telegrafi ka hapur një sondazh disa ditë më parë për të marrë mendimin e lexuesve rreth pyetjes: “Sa besoni se partitë politike në Kosovë i marrin seriozisht problemet e të rinjve?”.
Sipas rezultateve të sondazhit, ku kanë marrë pjesë gjithsej 1,911 respodentë, shumica dërrmuese e tyre kanë shprehur skepticizëm ndaj angazhimit të partive politike për çështjet e të rinjve.
Opsioni “Aspak” ka marrë më së shumti vota, me 1,314 vota (69%). Ndërkaq, opsioni “Pak” është renditur i dyti me 290 vota (15%).
Ndërkohë, “Mesatarisht” është votuar nga 145 lexues (8%), ndërsa “Shumë” nga 91 lexues (5%).
Një pjesë e respondentëve kanë deklaruar se nuk kanë qëndrim të formuar, me opsionin “Nuk e di/Nuk kam qëndrim” që ka marrë 71 vota (4%).
Sondazhi i Telegrafit është me karakter informues dhe pasqyron qëndrimet e lexuesve që kanë votuar online, në kohën kur partitë politike kanë nisur fushatën dhe pritet të prezantojnë programet dhe premtimet e tyre, përfshirë politikat që lidhen me të rinjtë, punësimin, arsimin dhe mundësitë e zhvillimit. /Telegrafi/
