India nuk do të blejë në një të ardhme të afërt aeroplanë të rinj luftarakë rusë të familjes Sukhoi, përfshirë modelin Su-57, deklaroi sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Indisë, Rajesh Kumar Singh.
Sipas tij, autoritetet indiane aktualisht janë të përqendruara në modernizimin e flotës ekzistuese të aeroplanëve dhe jo në blerjen e mjeteve të reja ajrore. India tashmë disponon rreth 260 aeroplanë Su-30MKI, të cilët prodhohen në vend me licencë ruse.
Duke folur për mundësinë e blerjes së avionëve të rinj Sukhoi, Singh tha “jo, nuk kemi shqyrtuar blerjen e avionëve të rinj Sukhoi. India po punon në mënyrë aktive për modernizimin e avionëve Su-30 që tashmë i prodhojmë me licencë ruse”.
Sipas portalit Defence Security Asia, pala ruse i kishte ofruar më herët Indisë blerjen e 36 deri në 40 avionëve Su-57.
Presidenti rus, Vladimir Putin kishte deklaruar në muajin qershor se Moska ishte e gatshme t’ia furnizonte Nju Delhit këta avionë luftarakë të gjeneratës së pestë.
Deklarata e zyrtarit indian tregon se, të paktën për momentin, India i jep përparësi përmirësimit të kapaciteteve të flotës ekzistuese ajrore, ndërsa blerja e avionëve të rinj rusë nuk është pjesë e planeve afatshkurtra. /Telegrafi/
