KORREKT / SOT29 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Polonia shqyrton tri skenarë në rast të një sulmi rus ndaj vendeve baltike, njëri parashikon dërgimin e menjëhershëm të trupave ushtarake

Polonia shqyrton tri skenarë në rast të një sulmi rus ndaj vendeve baltike, njëri parashikon dërgimin e menjëhershëm të trupave ushtarake

Polonia është e gatshme t’u ofrojë ndihmë ushtarake shteteve baltike në rast të një provokimi të armatosur nga Rusia, pa pritur aktivizimin zyrtar të Nenit 5 të NATO-s. Sipas mediumit polak Onet, qeveria në Varshavë po shqyrton mundësinë e dërgimit të menjëhershëm të forcave ushtarake, me përparësi njësitë speciale.

Sipas raportimit, qeveria polake dhe disa vende të tjera anëtare të NATO-s po diskutojnë mënyrën e reagimit në rast të një sulmi të kufizuar rus ndaj njërit prej vendeve baltike, transmeton Telegrafi.

Në bisedat me dy ministra të rëndësishëm të qeverisë polake, Onet ka mësuar se mundësia e një konflikti me Rusinë është temë e diskutimeve intensive në Varshavë dhe në kryeqytetet e vendeve të tjera të NATO-s.

Sipas burimeve, diskutimet nuk kanë të bëjnë me sulmin ndaj Rusisë apo nxitjen e një lufte, por me gjetjen e një përgjigjeje në rast të një ndërhyrjeje të kufizuar ushtarake ruse. Inteligjenca, sipas tyre, vlerëson se Rusia nuk planifikon dhe aktualisht nuk ka kapacitet për të nisur një sulm në shkallë të gjerë ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s.

Megjithatë, ekziston shqetësimi për mundësinë e një provokimi të armatosur, siç mund të ishte pushtimi i një qyteti të vogël në njërin prej tri vendeve baltike: Estonisë, Letonisë ose Lituanisë.

Në një situatë të tillë, Polonia teorikisht do të kishte dy mundësi: të kufizohej në ndihmë humanitare ose të ndërhynte drejtpërdrejt në operacionet ushtarake, duke dërguar trupa.

“Ne mund të dërgojmë trupa pas një vendimi të NATO-s, por mund ta bëjmë këtë edhe menjëherë, pavarësisht vendimeve të aleatëve tanë. Në rastin e dytë, dërgimi i trupave tona do të shërbente si presion ndaj aleatëve që të aktivizonin Nenin 5 dhe t’ia bënin të qartë Rusisë se, nëse nuk i tërheq menjëherë trupat, do të përballet me të gjithë Aleancën e Atlantikut të Veriut”, citohet të ketë thënë njëri prej burimeve.

Sipas tij, Moska nuk është e gatshme dhe nuk ka mundësi të përballojë një luftë me të gjithë NATO-n.

Burimet e Onet paralajmërojnë gjithashtu se mungesa ose vonesa e reagimit të NATO-s ndaj një provokimi rus do të nënkuptonte, në praktikë, “fundin e NATO-s”.

“Nëse një provokim i ngjashëm do të ndodhte ndaj vendit tonë, ne do të mbeteshim praktikisht vetëm. Prandaj, ndërhyrja jonë e mundshme nuk synon vetëm ta ndihmojë vendin e sulmuar, por mbi të gjitha të parandalojë Rusinë që ta shkaktojë shpërbërjen e NATO-s”, ka deklaruar njëri prej burimeve qeveritare.

Ai ka shtuar se, në rast të një provokimi rus, Polonia do t’i dërgonte menjëherë forcat e saj të armatosura në ndihmë të shtetit baltik të sulmuar, pa pritur aktivizimin zyrtar të Nenit 5.

Burimi i dytë qeveritar ka theksuar se kapacitetet aktuale ushtarake të Polonisë janë të kufizuara dhe se çdo ndihmë për vendet baltike duhet të organizohet në mënyrë që të mos dobësohet mbrojtja e vetë vendit.

Për këtë arsye, Varshava parapëlqen dërgimin e forcave speciale, në vend të njësive të blinduara, për shembull.

Sipas Onet, të dy burimet qeveritare pajtohen se Polonia do të ndërhynte ushtarakisht në rast të një provokimi të armatosur kundër njërit prej vendeve baltike. Përmes këtij qëndrimi, qeveria polake synon t’i dërgojë Moskës mesazhin se çdo përpjekje për ta dobësuar ose shpërbërë NATO-n do të dështonte.

Ndërkohë, ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, deklaroi se dy raketa ruse dhe një dron ranë në territorin e Polonisë të premten, më 20 nëntor, kur Rusia ndërmori një sulm masiv ndaj Ukrainës fqinje. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.