Banorët e lagjes Lakrishtë në kryeqytet po përballen me vështirësi të shumta gjatë qarkullimit me automjete, si pasojë e punimeve të lëna përgjysmë nga operatorët ekonomikë.
Pas ankesave të pranuara nga lexuesit, Telegrafi ka evidentuar në terren se në disa segmente të rrugës janë hapur gropa dhe janë lënë hapësira të tëra të paasfaltuara.
Siç shihet edhe nga pamjet, sipërfaqet e dëmtuara nuk janë kthyer në gjendjen e mëparshme pas përfundimit të ndërhyrjeve infrastrukturore, duke krijuar pengesa dhe rrezik për dëmtimin e veturave.
Lidhur me këtë problematikë, Telegrafi i ka drejtuar pyetje zyrtare Drejtorisë për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës për të sqaruar se a është në dijeni për gjendjen në terren, nëse është identifikuar operatori përgjegjës dhe se kur pritet të bëhet sanimi e asfaltimi i këtyre pjesëve.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit.
Redaksia do të mbajë të informuar lexuesit posa të pranojë një përgjigje zyrtare nga organet komunale. /Telegrafi/


