Një protestë paqësore është paralajmëruar të mbahet më 25 prill 2026 në zonën e Kutllovës-Çakor, me qëllim kërkesën për zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për hapjen dhe funksionalizimin e pikës kufitare në këtë pjesë.
Organizatori i protestës, Muhamet Nikqi, përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se tubimi do të mbahet në orën 12:00, te vendi i njohur si “Piramidat”, dhe pritet të zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga të dy anët e kufirit, përkatësisht nga qytetarë të Kosovës dhe të Malit të Zi.
Sipas tij, protesta ka për qëllim të shprehë pakënaqësinë qytetare për moszbatimin e marrëveshjes ndërmjet dy shteteve, e cila, siç thekson ai, është nënshkruar para 13 vitesh nga ministrat e punëve të brendshme dhe më pas është dekretuar nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në dokumentin e dorëzuar në Policinë e Kosovës, organizatorët kanë theksuar se tubimi do të jetë paqësor dhe se do të bashkëpunojnë me organet e rendit për të garantuar sigurinë gjatë zhvillimit të tij.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë fillimi i menjëhershëm i procedurave për hapjen e pikës kufitare në Kullovë-Çakor, hartimi i një plani konkret kohor nga institucionet përgjegjëse, si dhe rritja e transparencës lidhur me procesin e zbatimit të marrëveshjes ekzistuese.
Organizatorët po ashtu kanë bërë thirrje për investime në infrastrukturën rrugore dhe kufitare në këtë zonë, duke theksuar rëndësinë e saj për komunitetet lokale dhe për zhvillimin ekonomik ndërkufitar. /Telegrafi/