Paris Saint-Germaini do të përfaqësohet me një delegacion të reduktuar në ceremoninë e Topit të Artë, pasi ndeshja ndaj Lyonit është shtyrë për të hënën, më 26 tetor, duke krijuar një përplasje në kalendar me ceremoninë që do të mbahet në Londër.
Vendimi për shtyrjen e ndeshjes u mor për arsye sigurie, pas shqetësimeve të autoriteteve franceze lidhur me protestat e paralajmëruara në Paris dhe angazhimin e madh të forcave policore gjatë fundjavës.
Situata është veçanërisht e ndërlikuar për PSG-në, pasi disa futbollistë të klubit parisien janë kandidatë për çmimet individuale, ndërsa skuadra duhet të përgatitet për një përballje të rëndësishme në Ligue 1.
Dembélé do të marrë pjesë në ceremoni
Ousmane Dembélé, fituesi i Topit të Artë të vitit të kaluar, pritet të jetë i pranishëm në ceremoninë e këtij viti.
Sulmuesi francez është i dëmtuar dhe nuk pritet të luajë ndaj Lyonit, çka ia lehtëson pjesëmarrjen në mbrëmjen gala.
Edhe disa lojtarë të tjerë të PSG-së që janë të dëmtuar mund të udhëtojnë drejt Londrës, ndërsa për pjesën tjetër të skuadrës përplasja e orareve e bën pjesëmarrjen shumë më të vështirë.
Një situatë që përsëritet
Kjo nuk është hera e parë që PSG-ja përballet me një situatë të tillë.
Edhe vitin e kaluar, ndeshja ndaj Olympique Marseille u shty dhe u zhvillua në të njëjtën ditë me ceremoninë e Topit të Artë, ku Dembélé u shpall fitues.
Këtë herë, klubi parisien duhet të menaxhojë një situatë të ngjashme, me disa futbollistë të nominuar për çmime individuale dhe një ndeshje të rëndësishme kampionale në të njëjtën mbrëmje. /Zëri

