Presidenti kinez Xi Jinping pritet t’u kërkojë Shteteve të Bashkuara të ndalojnë shitjen e armëve për Tajvanin, kur të takohet me presidentin Donald Trump në Uashington këtë javë.
Kina e konsideron Tajvanin si çështjen e saj më të rëndësishme dhe më të ndjeshme, pasi ajo lidhet me sovranitetin dhe integritetin territorial kinez – çështje që nuk duhet të vihen në dyshim apo të jenë objekt ndërhyrjeje nga palë të jashtme.
Ja pse çështja e Tajvanit është kaq e rëndësishme për Pekinin:
Cili është qëndrimi i Kinës për Tajvanin?
Kina pohon se Tajvani ka qenë territor kinez që nga kohërat e lashta.
Tajvani ishte për një periudhë të shkurtër provincë nën dinastinë Qing, nga viti 1885 deri në 1895, kur iu dorëzua Japonisë pas një lufte.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, Tajvani iu dorëzua qeverisë së Republikës së Kinës.
Pekini e sheh Tajvanin si një çështje të pazgjidhur nga lufta civile kineze; pas humbjes ndaj komunistëve të Mao Ce Dunit – të cilët themeluan Republikën Popullore po atë vit – qeveria e mundur e Republikës së Kinës u largua drejt ishullit në vitin 1949.
Pekini e konsideron Tajvanin një provincë kineze pa të drejtë për t’u vetëshpallur shtet dhe nuk ka hequr kurrë dorë nga përdorimi i forcës për ta vënë atë nën kontroll, ndonëse shprehet se do të preferonte një “ribashkim paqësor”, përcjell Telegrafi.
Kina deklaron se Tajvani është “thelbi i interesave të saj thelbësore” dhe një vijë e kuqe që nuk mund të kalohet; ajo kritikon rregullisht çdo angazhim të nivelit të lartë midis liderëve të huaj dhe Taipeit, duke e cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.
Si ka reaguar Kina ndaj “angazhimeve” të mëparshme të SHBA-së me Tajvanin?
Kina nisi stërvitje të mëdha ushtarake rreth Tajvanit në vitin 2022, menjëherë pasi kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi Taipein; që atëherë, ajo ka zhvilluar disa raunde të tjera stërvitjesh në përgjigje të angazhimeve të SHBA-së me Tajvanin.
Stërvitjet e fundit të mëdha ushtarake të Kinës pranë ishullit u zhvilluan në fund të dhjetorit, kujton një shkrimi i Reuters, përcjell Telegrafi.
Në fillim të atij muaji, administrata Trump kishte miratuar një paketë shitjesh armësh për Tajvanin me vlerë 11 miliardë dollarë – më e madhja e këtij lloji deri më sot.
Cili është qëndrimi i Tajvanit?
Tajvani është një demokraci në lulëzim, qeveria e së cilës i hedh poshtë me forcë pretendimet e Pekinit për sovranitet.
Tajvani deklaron se është tashmë një shtet i pavarur – dhe se ka të drejtë të bashkëveprojë me pjesën tjetër të botës e të zgjedhë udhëheqësit e vet.
Tajvani pohon se Republika Popullore e Kinës nuk e ka qeverisur kurrë ishullin, qoftë edhe për një ditë të vetme, dhe nuk ka të drejtë të pretendojë se e përfaqëson atë apo të ushtrojë ndonjë formë sovraniteti.
Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka ofruar vazhdimisht bisedime me Kinën, por është refuzuar.
As qeveria kineze dhe as ajo tajvaneze nuk e njohin zyrtarisht njëra-tjetrën; Kina refuzon t’i referohet Lait si “president”, duke e cilësuar atë si “separatist”.
Lai ka deklaruar se, duke qenë se Tajvani është tashmë një shtet i pavarur, nuk ka nevojë për një shpallje të veçantë të pavarësisë formale.
Cili është qëndrimi i SHBA-së?
SHBA-ja i ndërpreu marrëdhëniet zyrtare me Taipein në favor të Pekinit në vitin 1979, por është e detyruar nga Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur.
Zyrtarisht, SHBA-ja nuk mban qëndrim mbi sovranitetin e Tajvanit, në kuadër të politikës së Uashingtonit “Një Kinë”.
Në vitin 2022, Departamenti i Shtetit i SHBA-së shtoi gjithashtu formulime lidhur me “Gjashtë Siguritë” (Six Assurances) – gjashtë garanci sigurie të dhëna Tajvanit gjatë epokës së Reaganit, të cilat Shtetet e Bashkuara i bënë publike (deklasifikuan) në vitin 2020.
Ndër garancitë e dhëna në vitin 1982 – por që nuk ishin bërë kurrë më parë zyrtarisht publike – përfshihen deklaratat se SHBA-ja nuk ka caktuar një datë për ndërprerjen e shitjes së armëve Tajvanit, nuk ka rënë dakord për konsultime paraprake me Pekinin mbi këto shitje dhe as për rishikimin e Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, i cili përbën bazën e politikës amerikane ndaj ishullit.
Kina ka kërkuar vazhdimisht që SHBA-ja t’i japë fund shitjes së armëve Tajvanit.
Si “bashkëvepron” SHBA-ja me Tajvanin?
SHBA-ja mban një ambasadë të madhe “de facto” në Taipei, të quajtur Instituti Amerikan në Tajvan, dhe të dyja palët kanë lidhje të ngushta ekonomike dhe të sigurisë.
Presidentët e Tajvanit e vizitojnë SHBA-në vetëm gjatë të ashtuquajturave “tranzite” (ndalime kalimtare) gjatë udhëtimeve drejt dhe nga aleatët diplomatikë në Amerikën Latine dhe Karaibe, megjithëse e shfrytëzojnë gjithmonë rastin për t’u takuar me ligjvënës amerikanë miqësorë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Tajvanit nuk komunikojnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin, edhe pse Trump tha në maj se do ta telefononte Lain.
Kjo gjë ende nuk ka ndodhur.
Në fund të vitit 2016, presidenti i zgjedhur Trump zhvilloi një bisedë telefonike 10-minutëshe me presidenten e atëhershme Tsai Ing-wen.
Kina reagoi në mënyrë relativisht të butë, duke paraqitur një ankesë diplomatike dhe duke e fajësuar Tajvanin për ndërmarrjen e një “veprimi të vogël”. /Telegrafi/