Polemikat rreth Kylian Mbappes në Kinë po shkaktojnë pasoja që mund të prekin edhe Real Madridin. Pas kërkimfaljes së sulmuesit francez, disa kompani kineze kanë ndërprerë bashkëpunimet me të, ndërsa në rrjetet sociale po zhvillohen fushata kundër blerjes së produkteve të tij.
Sipas gazetës spanjolle Marca, kriza nisi pasi Mbappe pranoi se qeshte me memet që e krahasonin me Mao Ce Dunin, ish-udhëheqësin komunist të Kinës.
Futbollisti i Real Madridit kërkoi falje publike, duke shprehur respekt për popullin kinez dhe historinë e tij. Edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, kërkoi falje pas polemikave.
Megjithatë, kërkimfaljet nuk e kanë ndalur reagimin në tregun kinez. Kompanitë e pijeve Dongpeng dhe prodhuesit e produkteve të qumështit Mengniu dhe Milkground kanë njoftuar përfundimin e partneriteteve tregtare me sulmuesin francez.
Real Madridi rrezikon të ardhura nga të drejtat e imazhit
Pasojat mund të ndihen edhe te Real Madridi, i cili përfiton nga marrëveshjet që lidhen me të drejtat e imazhit të futbollistëve të tij.
Sipas raportimit të Marca, Mbappé ka një marrëveshje të veçantë me klubin madrilen, duke mbajtur rreth 80 për qind të të ardhurave nga këto të drejta, ndërsa klubi përfiton pjesën tjetër.
Sipas vlerësimeve të Forbes, Mbappe fiton rreth 100 milionë euro në vit, prej të cilave afërsisht 30 milionë euro vijnë nga marrëveshjet e sponsorizimit.
Ndërprerja e bashkëpunimeve me kompanitë kineze mund të ndikojë në të ardhurat e tij dhe, rrjedhimisht, në përfitimet që Real Madridi siguron nga marrëveshjet për të drejtat e imazhit.
Në Kinë bëhen thirrje për bojkot të produkteve të Mbappés
Sipas Marca, rreth 10 deri në 15 për qind e produkteve ndërkombëtare të klubit lidhen me tregun kinez, ndërsa fanella e Mbappés është ndër artikujt më të shitur.
Në platformat dhe forumet kineze të futbollit kanë nisur fushata që u bëjnë thirrje tifozëve të mos blejnë produkte zyrtare të sulmuesit francez.
Edhe platforma kineze RedNote raportohet se ka nisur të heqë përmbajtje të lidhur me Mbappén, pavarësisht bashkëpunimeve të mëparshme me futbollistin në kuadër të fushatave reklamuese.
Kjo situatë mund të ndikojë jo vetëm në shitjen e fanellave në Kinë, por edhe në interesimin e konsumatorëve kinezë për produktet e Mbappés në tregje të tjera. Sipas raportimit, tifozët kinezë që vizitojnë Madridin dhe blejnë produkte zyrtare në dyqanet e klubit mund të ndikohen gjithashtu nga këto zhvillime.
Pezullimi i transmetimeve në Kinë prek edhe La Ligën
Pasojat nuk kufizohen vetëm te Mbappé dhe Real Madridi. Transmetuesi shtetëror kinez CCTV ka pezulluar mbulimin e La Ligës dhe ndeshjeve ku përfshihet sulmuesi francez, duke krijuar pasiguri edhe për të ardhurat që liga spanjolle siguron nga tregu kinez.
Një rënie e të ardhurave nga të drejtat televizive mund të ndikojë në shumën që La Liga shpërndan te klubet e kategorisë së parë dhe të dytë. Shpërndarja e të ardhurave merr parasysh edhe shikueshmërinë e klubeve, çka e bën këtë çështje të rëndësishme për Real Madridin.
Sipas shifrave të cituara nga Marca, La Liga shpërndau rreth 1.432 miliardë euro për klubet e dy kategorive sezonin e kaluar, ndërsa Real Madridi përfitoi afërsisht 160 milionë euro.
Megjithatë, ndikimi financiar i krizës mbetet ende i paqartë. Përmasat e pasojave do të varen nga kohëzgjatja e bojkotit, vendimet e partnerëve tregtarë dhe nëse transmetimet e La Ligës do të rikthehen në tregun kinez. /Telegrafi/

