Është zbuluar arsyeja pse Arsenalit nuk iu dha penallti gjatë kohës shtesë në humbjen e tyre në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain.
“Topçinjtë” u mposhtën 4-3 me penallti nga kampionët në fuqi në Budapest, pasi ndeshja u mbyll 1-1.
Kai Havertz e zhbllokoi rezultatin që në minutën e gjashtë me një goditje të fuqishme nga afërsia.
Më pas, Ousmane Dembele barazoi për PSG-në nga pika e bardhë në minutën e 65-të, pasi Cristian Mosquera faulloi Khvicha Kvaratskhelia.
Në serinë e penalltive, Eberechi Eze i Arsenalit dhe Nuno Mendes i PSG-së i humbën goditjet, përpara se Gabriel Magalhaes ta dërgonte penalltinë vendimtare mbi traversë.
Kjo nxiti festë të madhe te lojtarët e PSG-së, që fituan titullin e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve, por gjithçka mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër, nëse një vendim në pjesën e parë të kohës shtesë do të ishte marrë ndryshe.
Lojtarët e Arsenalit kërkuan penallti kur Noni Madueke u pengua nga Mendes, pasi kishte hyrë me shpejtësi në zonë.
Mendes e tërhoqi Madueken dhe e rrëzoi në tokë, por pati dyshime nëse sulmuesi i Arsenalit kishte iniciuar kontaktin i pari, duke ia “bllokuar” krahun Mendesit, si dhe nëse kishte mjaftueshëm kontakt që të akordohej penallti.
Gjyqtari Daniel Siebert dhe ekipi i VAR-it vendosën se nuk ishte penallti dhe loja vazhdoi./Telegrafi/
