Investitorët nuk investojnë aty ku mungojnë stabiliteti, siguria juridike dhe parashikueshmëria! Ky është reagimi i Aleancës Kosovare të Bizneseve për situatën e krijuar nga protestat në Shqipëri, si partner institucional shtetëror dhe i organizatave ekonomike e shoqërore në Shqipëri.
AKB respekton të drejtën demokratike për protestë, por konsideron se përplasjet politike nuk duhet të shndërrohen në pengesë për zhvillimin ekonomik, sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të bizneseve.
Në reagimin e fundit Aleanca nenvizon se një pjesë e investitorëve kosovarë po tregohen më të rezervuar dhe po ngadalësojnë vendimmarrjen për investime të reja në Shqipëri.
Kjo pasi sipas tyre pasiguria politike, tensionet institucionale dhe mungesa e një klime të qëndrueshme ndikojnë drejtpërdrejtë në besimin e kapitalit dhe në planet afatgjata të biznesit.
AKB u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe institucionalë që përmes dialogut dhe përgjegjësisë shtetërore, të garantojnë stabilitet politik, siguri juridike dhe një klimë të favorshme për investime.
Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen, jo të pengohen nga pasiguria politike.
Në përmbyllje të reagimit Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se kapitali nuk pret pafundësisht, ai shkon aty ku gjen siguri, stabilitet dhe perspektivë.

