Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar se ka pranuar pagesa nga kompania GEN-i Beograd pasi kishte marrë detyrën diplomatike.
Megjithatë, gjatë një përballjeje me pyetje për transaksionet financiare, atij i është paraqitur edhe një dokument që pretendon të dëshmojë të kundërtën.
“Pagesen e fundit nga GEN-i i Beogradit e kam pranuar para se të bëhem ambasador”, ka deklaruar Berishaj në “Debat Plus” të RTV Dukagjini. Ai madje u përball edhe me shifra si 90 mijë euro në muajt. Për to, ambasadori tha se, pas fitimeve “kemi paguar edhe taksa në Kosovë”.
Por, pasi e pranoi se ishte paguar nga GEN, debati u zhvendos në atë se, a kanë vazhduar pagesat nga GEN-I Beograd edhe pasi Berishaj ishte emëruar ambasador i Kosovës?
Gjatë përballjes, Berishajt i është paraqitur një dokument sipas të cilit pretendohet se një pagesë nga kjo kompani është realizuar pas marrjes së detyrës diplomatike.
Nëse vërtetohet përmbajtja e dokumentit, kjo do ta vinte në pikëpyetje deklarimin e tij për kohën kur kishte pranuar pagesën e fundit.
Berishajt iu prezentuan shifra fitimesh ndër vitesh të kompanisë së tij. Ai i pranoi ato por tha se kur u bë ambasador i la ato fitime dhe vendosi që të punoj vetëm si ambasdor.
Gazetari Lirim Mehmetaj e ka pyetur lidhur me deklarimet e drejtuesve të kompanisë energjetike për pagesat që i ishin bërë.
Pyetjet specifikisht kishin të bënin me pagesa prej 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike.

