KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj tre personave për 1.8 kilogramë heroinë – gjenden pesë armë dhe 549 fishekë

Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj tre personave për 1.8 kilogramë heroinë – gjenden pesë armë dhe 549 fishekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të narkotikëve, pasi gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1.8 kilogramë heroinë, një sasi marihuane, pesë armë zjarri dhe 549 fishekë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit R.B., A.R. dhe B.(Sh) B. dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje dhe si anëtarë të një grupi, duke u marrë me shitjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të heroinës në fshatin Gjinoc të Komunës së Suharekës.

Të tre personat gjenden në paraburgim që nga 23 marsi 2026.

Sipas aktakuzës, më 23 mars 2026, gjatë realizimit të një shitjeje të narkotikëve, Policia kishte ndaluar një automjet në të cilin të pandehurit dyshohet se kishin fshehur dy paketime me heroinë, me peshë fillestare prej 1,017.25 gramësh.

Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit R.B., ishte gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi tjetër e dyshuar heroine, me peshë fillestare prej 806 gramësh.

Sipas ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, dy sasitë përmbanin heroinë të përzier me substanca të tjera, me peshë neto të përgjithshme prej 1,780.13 gramësh.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit B.(Sh) B., ishte gjetur edhe marihuanë, me peshë neto prej 12.69 gramësh.

Përveç narkotikëve, gjatë kontrolleve në pronat e të pandehurve R.B. dhe B.(Sh) B. janë sekuestruar edhe pesë armë zjarri, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie dhe një armë automatike, si dhe 549 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Prokuroria ka bërë të ditur se të pandehurit akuzohen për veprat penale që lidhen me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, ndërsa dy prej tyre edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Në kuadër të aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i pasurisë dhe sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar nga to.

Në mesin e pasurisë për të cilën është kërkuar konfiskimi janë dy automjete, një Land Rover dhe një Mercedes GLE, telefona mobilë, pajisje elektronike, para të gatshme, narkotikët, armët dhe municioni i sekuestruar.

Prokuroria ka propozuar që automjetet të shiten përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ndërsa paratë e përfituara të derdhen në buxhetin e Kosovës. Për narkotikët, armët, municionin dhe pajisjet e tjera është propozuar konfiskimi dhe shkatërrimi sipas procedurave ligjore. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.