Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka organizuar konferencën ndërkombëtare “PX-Meeting 2026”, e cila ka mbledhur ekspertë të institucioneve kombëtare të statistikave për të diskutuar zhvillimet e reja teknologjike dhe avancimin e publikimit digjital të statistikave zyrtare.
Konferenca, e cila po mbahet më 21 dhe 22 tetor në Prishtinë, ka për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive për platformat e publikimit të të dhënave statistikore, funksionalitetet e reja të PxWeb 2, API-të dhe mjetet për vizualizimin e të dhënave, si dhe planet e ardhshme të institucioneve statistikore.
Shefja e Kabinetit të Zyrës së Kryeministrit, Flora Macula, ka theksuar rëndësinë e statistikave në hartimin e politikave publike dhe identifikimin e nevojave të shoqërisë.
“Statistikat bëjnë shumë më tepër sesa thjesht numërojnë. Ato pasqyrojnë rrugëtimin e shoqërisë sonë. Na tregojnë se sa fëmijë po fillojnë shkollimin, si po e gjejnë rrugën drejt tregut të punës të rejat dhe të rinjtë tanë, si po përshtatet ekonomia jonë me realitetet globale, si po i pasqyrojnë politikat tona nevojat specifike të grave dhe vajzave, burrave dhe djemve, pakicave dhe grupeve të margjinalizuara, si dhe si po ndryshon vetë struktura demografike e popullsisë sonë. Mbi të gjitha, statistikat na tregojnë mangësitë që duhet të adresohen nga qeveria dhe e gjithë shoqëria përmes politikave, programeve dhe veprimeve konkrete, të cilat u përgjigjen nevojave të të gjitha grave dhe vajzave, burrave dhe djemve”, tha ajo.
Macula ka vënë në pah edhe rëndësinë e qasjes së lehtë në të dhënat statistikore, duke theksuar se ato duhet të jenë të kuptueshme dhe të përdorshme nga qytetarët, institucionet dhe komuniteti hulumtues.
“Sot, nuk mjafton më vetëm prodhimi i të dhënave të sakta. Të dhënat duhet gjithashtu të jenë të lehta për t’u gjetur, kuptuar dhe përdorur. Platforma si PX Lab, të cilën Agjencia e Statistikave të Kosovës e përdor në kuadër të portalit të saj të të dhënave, ASK Data Portal, janë shembuj të shkëlqyer të këtij ndryshimi. Përmes këtyre platformave, qytetarët, studentët, hulumtuesit, bizneset dhe institucionet mund të kërkojnë informacione, të krahasojnë të dhëna dhe të zhvillojnë analizat e tyre. Për Kosovën, transformimi digjital dhe shërbimet më të mira publike janë thelbësore për zhvillimin e vendit tonë. Statistikat moderne dhe të dhënat e hapura luajnë një rol qendror në këtë proces. Ato forcojnë transparencën, përmirësojnë qasjen në informacion dhe krijojnë mundësi të reja për hulumtim dhe inovacion”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka folur për përvojën 15-vjeçare të institucionit me mjetet për publikimin e të dhënave statistikore dhe kalimin nga mbledhja manuale në atë elektronike.
“Si institucion, ne i kemi përdorur për 15 vitet e fundit mjetet PX Access, të cilat tashmë janë përditësuar për të mirëmbajtur versionin e ri. Statistikat nuk kanë vlerë vetëm duke ekzistuar, por duke u shpërndarë në mënyrë që të përdoren nga përdorues të ndryshëm. Në vijim të zhvillimeve të fundit, Zyra e Statistikave është transformuar si institucion, duke kaluar nga mbledhja manuale e të dhënave në mbledhjen elektronike të tyre. Gjatë këtyre dy ditëve, këtu fizikisht jemi rreth 40 pjesëmarrës, ndërsa më shumë se 70 të tjerë po na ndjekin online. Përshëndes të gjithë ata që janë të kyçur nga distanca dhe i falënderoj për pjesëmarrjen në këtë ngjarje”, tha ai.
Një nga prezantimet e konferencës i kushtohet përvojës së Kosovës me temën “15 vjet me PX-Web: Rrugëtimi i Kosovës nga të dhënat drejt publikimit digjital”, duke pasqyruar zhvillimin e platformës dhe rëndësinë e saj në lehtësimin e qasjes së përdoruesve në statistikat zyrtare.
Përmes këtij takimi ndërkombëtar synohet të forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve statistikore, të shkëmbehen përvoja profesionale dhe të avancohen mënyrat e publikimit të statistikave zyrtare në epokën digjitale. /eo

