Mbeturinat e grumbulluara në disa pjesë të Prishtinës po vazhdojnë të shqetësojnë banorët, të cilët kërkojnë zgjidhje dhe pastrim të rregullt të hapësirave publike.
Përveç qeseve me mbeturina, qytetarët kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e kontejnerëve dhe të informatave për linjat e autobusëve në stacione, si dhe për mirëmbajtjen e rrugëve në kryeqytet.
Një banor i Prishtinës ka kritikuar gjendjen e hapësirave publike, duke thënë se në disa pjesë të qytetit mungojnë kontejnerët për mbeturina.
“Në qytet s’ka asnjë kantë të bërllokut. Veç hajde kqyri stacionet e autobusëve. Plus, bërllog, një milion pika i ke në rrugë”, tha ai.
Ai ka shprehur pakënaqësi edhe për mungesën e informatave për linjat e autobusëve në stacione, si dhe për pastrimin e rrugëve me ujë.
“S’ka pastrim me ujë. A ke pa ti një herë me kamionë, me cisternë, me pastru rrugën? S’kom pa moti”, ka shtuar ai.
Mbeturinat në rrugën “Prekazi”, Prishtinë
Ndërkohë, qytetarë të tjerë vlerësojnë se përgjegjësia për mirëmbajtjen e pastërtisë u takon ndërmarrjeve përkatëse dhe se duhet të ndërmerren masa për të shmangur problemet e mundshme higjienike.
Njëri nga banorët ka thënë se lagjja ku jeton pastrohet rregullisht, por ka theksuar se shtimi i kapaciteteve për largimin e mbeturinave do të ishte i mirëseardhur.
Mbeturinat në rrugën “Ismet Hoti”, Prishtinë
“Çdo mundësi, çdo shtim i efektivave për me largu bërllogun është e mirëseardhur. Le të pastrohet, le të mbahet pastër qyteti”, është shprehur ai.
Një nga çështjet që mbetet të sqarohet është se kur do të fillojë funksionimi i rregullt i kompanisë së re të pastrimit dhe nëse kjo do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes në terren.
Mbeturinat në “Rruga C”, Prishtinë
Deri atëherë, banorët presin që mbeturinat të largohen me kohë, ndërsa hapësirat publike dhe rrugët të mirëmbahen në mënyrë të rregullt. /Telegrafi/

