Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula ka pritur sot në takim Kryeprokurorin e Shtetit, Zejnulla Gashi, Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, dhe Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi.
Gjatë takimit, udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë e uruan Presidenten për zgjedhjen e saj në detyrë dhe i dëshiruan sukses në përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese e institucionale, transmeton klankosova.tv.
Biseda u përqendrua te rëndësia e funksionimit të pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, si dhe te roli i institucioneve në forcimin e sundimit të ligjit.
Presidentja Shiroka Pula theksoi rëndësinë e një sistemi drejtësie të pavarur, profesional dhe të paanshëm, i cili garanton zbatimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucione. Ajo shprehu mbështetjen institucionale për forcimin e sundimit të ligjit dhe për përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese të institucioneve të drejtësisë, duke respektuar pavarësinë e tyre.

