Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sonte në ceremoninë e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Austrisë.
Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula përcolli urimet më të përzemërta për Republikën e Austrisë dhe qytetarët e saj, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe paqes.
Presidentja vlerësoi kontributin e Austrisë në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, njohjen e hershme të pavarësisë dhe mbështetjen për shtetndërtimin, forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ajo theksoi gjithashtu kontributin austriak në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për Republikën e Austrisë, institucionet dhe qytetarët e saj, duke nënvizuar potencialin për thellimin e bashkëpunimit në arsim, shkencë, kulturë, teknologji, ekonomi dhe inovacion.
Në fund, Presidentja uroi popullin austriak për paqe, mirëqenie dhe prosperitet të vazhdueshëm, ndërsa Republikës së Austrisë i dëshiroi suksese në kontributin e saj për një Evropë paqësore dhe të bashkuar.

