Policia e Kosovës nënshkroi më 4 nëntor 2026 një kontratë prej 74.424 eurosh me Goma Pro për furnizimin dhe montimin e gomave dimërore, përmes negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë.
Para kësaj, Policia ia kishte refuzuar kompanisë tri oferta, një në tenderin e hapur dhe dy në procedurat me negocim. Refuzimi i fundit ishte bërë vetëm gjashtë ditë para shpalljes së saj fituese.
Dokumentet e shqyrtuara nga Kiks Kosova tregojnë se furnizimi përfundoi në “emergjencë ekstreme” pas tri procedurave të anuluara. Tenderi i hapur ishte shpallur më 23 qershor, me vlerë të parashikuar prej 800 mijë eurosh, për goma verore e dimërore. Kontrata e mëparshme me Eurogomën, e lidhur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, parashihte të përfundonte më 9 tetor 2025.
Në tenderin e vlerës se hapur ofertuan vetëm Goma Pro dhe BauMachine. Më 23 shtator, Policia i eliminoi të dyja, 51 ditë pas afatit të ofertimit. Goma Pro nuk kishte shënuar çmimin, prodhuesin dhe origjinën për gomën dimërore LT 265/75R16. BauMachine, sipas letrës së eliminimit, nuk iu përgjigj brenda afatit kërkesës për sqarime lidhur me katalogun dhe dokumentacionin EPREL për dy artikuj.
Më pas, Policia kaloi në negocim për gomat dimërore. Në të dyja procedurat e tetorit ofertuan Goma Pro, BauMachine dhe Eurogoma. Me vendimin e 20 tetorit, Policia konstatoi se Goma Pro nuk kishte dorëzuar deklarata të performancës ose ateste për të gjithë artikujt. Kompania kishte paraqitur edhe garanci nga Nexen SH.P.K., por nuk kishte dëshmuar se ajo ishte distributor i prodhuesve të deklaruar.
Në ritenderin pasues, Policia e eliminoi sërish Goma Pro më 29 tetor për mungesën e dëshmive teknike për të gjithë artikujt. BauMachine dhe Eurogoma u eliminuan sepse, sipas Policisë, edhe pas katër raundesh negocimi çmimet për njësi tejkalonin ndjeshëm vlerën e parashikuar dhe atë të tregut.
Për negocimin përfundimtar, Policia ftoi përsëri të njëjtat tri kompani. Goma Pro fitoi me 74.424 euro. BauMachine ofroi 75.686 euro dhe u eliminua për mospërputhje në sasinë e një pozicioni. Eurogoma ofroi 84.181,12 euro, mbi vlerën e parashikuar prej 81.510 eurosh.
Kiks Kosova ka kërkuar ofertën fituese dhe dokumentet teknike për të parë cilat dëshmi dorëzoi Goma Pro pas dy refuzimeve të tetorit. Deri në përgatitjen e artikullit, Policia nuk ka dhënë qasje në dokumentet e kërkuara.
Krahasimi i kontratës nxjerr edhe një mospërputhje. Te pozicioni 14, aneksi teknik shënon dimensionin 225/50R16C, ndërsa lista e çmimeve 225/65R16C, me katër goma nga 78 euro. Ndërkaq, dimensioni LT 265/75R16, për të cilin kompania ishte eliminuar në shtator, nuk figuron në listën përfundimtare.
Kontrata kornizë gjashtëmujore përmban 1.318 goma në sasi orientuese, me çmime nga 41 deri në 272 euro për copë, përfshirë TVSH-në. Prej tyre, 1.302, ose 98,8 për qind, kanë origjinë të deklaruar nga Kina.
Megjithëse Policia e arsyetoi emergjencën me afrimin e 15 nëntorit, kontrata i jep furnizuesit deri në 30 ditë nga marrja e urdhërblerjes për dorëzim. Afati lejonte furnizim edhe pas 15 nëntorit. Urdhërblerjet dhe fletëpranimet do të tregonin kur u porositën gomat, sa u dorëzuan dhe kur i pranoi Policia. /Kiks Kosova

