Udhëheqësi i platformës “JO NË EMRIN TIM”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në shtëpinë e tij në Velani, ku ai kaloi disa orë pranë familjarëve dhe bashkëshortes së tij të sëmurë.
Përmes një postimi, Haziri ka bërë të ditur se së bashku me qytetarë të tjerë janë mbledhur në Velani për t’i shprehur mbështetje Krasniqit dhe familjes së tij, transmeton lajmi.net.
Ai ka shprehur keqardhje për faktin se Krasniqit i janë lejuar vetëm disa orë pranë bashkëshortes së tij, madje nën masa të rrepta sigurie.
“Drejtësia nuk guxon ta përjashtojë njerëzoren, e as ta nëpërkëmbë dinjitetin!”, ka shkruar Haziri.
Ai e ka cilësuar Krasniqin si hero dhe ka theksuar se respekti dhe mirënjohja e qytetarëve ndaj tij nuk mund të kufizohen.
“Bacë Jakup, mund të ta kufizojnë lirinë, por kurrë respektin dhe mirënjohjen e popullit për ty! Ti je një hero, ashtu siç ishe edhe atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për ty!”, ka përfunduar Haziri./lajmi.net/

