Në Gjakovë është zhvilluar një takim ndërinstitucional me qëllim të rritjes së sigurisë së fëmijëve në komunikacion, me fokus të veçantë në zonat përreth shkollave.
Takimi u mbajt në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ku morën pjesë përfaqësues të Njësisë Rajonale të Trafikut dhe
Departamentit Koordinues të Këshillit për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, transmeton IndeksOnline.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen e sigurisë rrugore dhe masat për vetëdijesimin e fëmijëve për rreziqet në trafik.
Me këtë rast, Policia pranoi materiale vetëdijesuese në kuadër të projektit “Fëmijët në trafik”, përfshirë një maskotë në formë pinguini dhe posterë me mesazhin “Një çast shpëton jetë!”.
Sipas njoftimit të Policisë, këto materiale do të përdoren gjatë ligjëratave edukative në shkolla, me synimin që nxënësit të ndërgjegjësohen për respektimin e rregullave të trafikut dhe rëndësinë e sjelljes së sigurt në rrugë.

