KB Trepça të enjten shënoi një fitore të madhe në gjysmëfinalen e tretë ndaj Pejës, për ta rikthyer epërsinë prej 2-1 në play-off.
Drilon Hajrizi ishte ndër më të dalluarit, me një paraqitje fantastike në palestër, por Peja është ankuar publikisht për kapitenin e Kosovës.
Në një video të publikuar, Peja akuzon Hajrizin se nxiti publikun në Mitrovicë të shkaktojë urrejtje për lojtarët e tyre, si dhe ofendoi disa nga basketbollistët në palestër.
Komunikata e plotë pa ndërhyrje:
“Basketbolli përtej humbjes dhe fitores, duhet të jetë edhe kulturë. Barën më të madhe të kulturës në sport nuk e kanë as tifozët, as kryesitë – por sportistët në fushë.
Në Pejë e Mitrovicë, rivaliteti ka kaluar në nivele të mëdha dhe tashmë është pothuajse e pamundur kontrollimi i të gjithë tifozëve dhe sjelljeve të caktuara të individivë.
Kryesinë e KB Trepça, e falenderojmë në maksimum për mirëpritjen perfekte para, gjatë dhe pas takimit – kështu ka qenë çdoherë.
Por, lojtari me numër 12, që njëherë e një kohë veshi edhe fanellën e klubit tonë – ka shkelur deri në maksimum çdo rol të profesionalitetit me viktimizimet dhe fyerjet që njeriu i dëgjon vetëm në rrugë, drejtuar jo publikut – por bankës dhe skuadrës së KB Peja. Te KB Peja, ndodhen lojtar të qytetit nga i cili Driloni vjen, bashkëlojtarë dhe kapiteni i tij te kombëtarja e Kosovës.
Çfarë po na mëson Driloni me këto sjellje? Çfarë po na mëson ai me këto të shara?
Në sport gjithmonë do jetë ekipi që fiton dhe ai që humb, por në sport rrallë ka këso lojtar që nuk i kontrollojnë emocionet dhe ofrojnë shembuj katastrofal. Ishte pikërisht Driloni, ai që pas ndeshjes në Pejë – ekzagjeroi situata duke nxitur publikun në Mitrovicë për urrejtje.
Ndeshjet kalojnë, sezonet kalojnë, fjala e thënë nuk kthehet prapa. KB Peja shpreson që profesionaliteti i treguar nga kryesia e KB Trepça, basketbollistët e tjerë në fushë dhe stafi i trajnerëve – të përqohet edhe nga lojtari me sjellje katastrofale që po shfaqet në video.
Ju mirëpresim të dielën edhe për një ndeshje tjetër spektakolare në Pejë”, njoftoi klubi.
Kujtojmë, përballja e ardhshme zhvillohet në Pejë, ndërsa nëse Trepça arrin fitore – atëherë avancon në finale./Telegrafi/