Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka ngritur dyshime për një marrëveshje të mundshme të fshehtë ndërmjet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
I ftuar në Five në TV Dukagjini, Plakolli ka kritikuar Abdixhikun për takimet me persona që, sipas tij, po mbështesin vazhdimin e bashkëpunimit me kryetarin e Mitrovicës, Faton Peci, ndonëse dega e LDK-së ka vendosur të largohet nga koalicioni.
Ai ka thënë se nuk e kupton pse kryetari i LDK-së po takohet me këta persona, të cilët nuk po i qëndrojnë pas vendimit të degës për të dalë nga koalicioni.
Plakolli ka rikujtuar edhe qëndrimin e Abdixhikut gjatë diskutimeve për çështjen e presidentit, kur ky i fundit, sipas tij, kishte kritikuar gjashtë deputetë të LDK-së që nuk po mbështesnin marrëveshjen.
“Kur ishte në bisedime për presidentin, gjashtë deputetë të LDK-së ishin kundër marrëveshjes. I përmendi me emra dhe gjithë topin ua hodhi atyre deputetëve, pse nuk po i qëndrojnë pas vendimeve gjoja të kryesisë, se aty vendime nuk ka pasur. E për tetë muaj, prej shkurti, njerëzit e LDK-së nuk i rrinë pas vendimeve të degës”, ka deklaruar Plakolli.
Ai ka thënë se, sipas tij, situata bëhet edhe më e paqartë kur Abdixhiku takohet me persona që vazhdojnë ta mbështesin koalicionin me Faton Pecin, pavarësisht vendimit të degës së LDK-së në Mitrovicë për t’u larguar nga ai.
“Po i takon njerëzit që i qëndrojnë në koalicion Faton Pecit, përkundër vendimit të degës për të dalë prej koalicionit. Dhe kjo është arsyeja që kërkoj përgjigje. A ka ndonjë marrëveshje të fshehtë mes kryetarit Abdixhiku dhe Lëvizjes Vetëvendosje?”, ka deklaruar Plakolli.
Duke folur për zhvillimet brenda degës, Plakolli ka thënë se gjatë tri viteve në krye të saj ka kaluar nëpër pesë procese zgjedhore, përfshirë tri palë zgjedhje nacionale, zgjedhjet lokale dhe balotazhin, por thotë se nuk e ka pasur përkrahjen e premtuar nga niveli qendror i partisë.

