Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar një trajnim ndërkombëtar në Kroaci, ku janë aftësuar për intervenime taktike dhe operacione në kushte të ndryshme.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se pjesëtarët e Togut për Intervenime të Policisë Ushtarake të FSK-së morën pjesë në trajnimin “Training Based on SOP – Standards of Interventions”, të zhvilluar nga 2 deri më 6 nëntor 2026, në Slunj të Kroacisë.
Sipas tij, trajnimi u realizua nën udhëheqjen e instruktorëve të Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë Ushtarake Kroate.
Gjatë këtij aktiviteti, pjesëtarët e FSK-së zhvilluan ushtrime praktike për procedurat standarde të intervenimit, luftimin në hapësira të mbyllura (CQB), si dhe qitje gjatë ditës, natës dhe nga automjetet në lëvizje.
Maqedonci ka theksuar se aktivitete të tilla ndikojnë në avancimin e aftësive taktike, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe harmonizimin e procedurave me standardet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Bashkëpunimi bilateral me Republikën e Kroacisë në fushën e mbrojtjes përbën një dimension të rëndësishëm të partneritetit tonë strategjik, me synim avancimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale ndërmjet forcave tona”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka ritheksuar përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për thellimin e bashkëpunimit me Kroacinë dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe për zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së.
Sipas ministrit, forcimi i këtyre partneriteteve mbetet pjesë e përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

