Ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe Spanjës, Gerard Pique, ka vlerësuar edhe një herë Lionel Messin, duke theksuar se inteligjenca e tij në lojë është arsyeja kryesore pse vazhdon të dominojë edhe në fazën e fundit të karrierës.
Sipas Piques, kapiteni i Argjentinës ka ditur të përshtatë në mënyrë perfekte stilin e tij të lojës, duke mbetur vendimtar në Kupën e Botës dhe një burim frymëzimi për bashkëlojtarët.
“Messi ka shumë cilësi dhe njëra prej tyre është inteligjenca. Ai e di se nuk është më fizikisht 25 vjeç, por e kupton në mënyrë perfekte se ku duhet të pozicionohet për të qenë i rrezikshëm”.
“Talenti i tij është i lindur, unik. Ai gjithmonë gjen pozicionet më të mira pranë zonës, lidhet shpejt me shokët përmes pasimeve të shkurtra ose hapet në krah për të dhënë krosime fantastike. Për të mos përmendur se mbetet realizuesi më i mirë brenda zonës”.
“Ai frymëzon lojtarët e tjerë dhe i motivon të japin më të mirën. Një nga shembujt më të mirë ishte ndeshja ndaj Anglisë. Besoj se edhe Kombëtarja e Spanjës e ka analizuar me kujdes atë paraqitje”, deklaroi Pique.
I pyetur nëse një tjetër triumf në Kupën e Botës do ta bënte Messin favorit absolut për ta fituar edhe një herë Topin e Artë, Pique pranoi se kriteret e këtij çmimi janë bërë të paqarta.
“Për Topin e Artë, sinqerisht e kam humbur fillin se çfarë vlerësohet, sepse çdo vit duket se kriteret ndryshojnë. Asnjëherë nuk është shpjeguar qartë se çfarë ka më shumë peshë”.
“Natyrisht, Messi e meriton ta fitojë dhe do të ishte mënyra më e bukur për ta përmbyllur karrierën e tij”.
Megjithëse dëshiron që Spanja të shpallet kampione e botës, Pique nuk e fshehu se do të ishte po aq i lumtur nëse trofeun do ta ngrinte edhe ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona.
“Që kur jam tërhequr nga futbolli, e shoh lojën ndryshe. Kur luaja, mbroja ekipin tim deri në fund, pa marrë parasysh asgjë. Tani e shijoj futbollin si spektator, ashtu siç e shikoja dikur me babanë tim”.
“Shpresoj që Spanja të fitojë, por nëse fiton Argjentina, do të jem po aq i lumtur për Messin”, përfundoi Pique. /Telegrafi/
