Gerard Piqué vazhdon të jetë një nga ish-futbollistët më të suksesshëm edhe jashtë fushës së blertë.
Në moshën 39-vjeçare, ish-mbrojtësi i Barcelonës ka ndërtuar një perandori biznesi, me investime në sport, argëtim dhe pasuri të paluajtshme.
Pjesën më të madhe të aktiviteteve të tij biznesore e zhvillon përmes kompanisë Kosmos, të themeluar në vitin 2017.
Përmes saj, Piqué ishte i përfshirë në organizimin e Kupës Davis, bleu klubin FC Andorra dhe krijoi Kings League në bashkëpunim me krijuesin e përmbajtjeve Ibai Llanos.
“Unë nuk bëj biznes për të fituar para, por paratë janë pasqyrim i suksesit dhe të gjithë duan të jenë të suksesshëm”, kishte deklaruar Piqué në një intervistë për revistën Forbes.
Ai kishte shpjeguar se futbolli mbetej burimi kryesor i të ardhurave të tij, ndonëse tashmë kishte filluar të investonte në fusha të ndryshme.
Piqué nuk e ka fshehur asnjëherë pasurinë e tij. Në vitin 2019, në emisionin “La Resistencia”, ai kishte deklaruar me humor se pasuria e tij ishte më e madhe se buxheti i Espanyolit, që atëkohë tejkalonte 57 milionë euro.
Sipas vlerësimeve të publikuara nga Celebrity Net Worth, pasuria e ish-futbollistit vlerësohet rreth 80 milionë dollarë. /Zëri

