Me vetulla të formësuara mirë, hije të vendosura saktë dhe qerpikë të lakuar, sytë mund të duken menjëherë më të hapur, më të freskët dhe më rinorë
Kapakët e rënë nuk janë vetëm detaj estetik, ata shpesh i japin fytyrës pamje të lodhur, edhe kur jeni pushuar mirë. Qoftë si pasojë e gjenetikës apo moshës, lajmi i mirë është se me truket e duhura të grimit mund ta “ngritni” vizualisht shikimin dhe t’i bëni sytë të duken më të hapur, më të freskët dhe më të çlodhur. Dhe këtë pa teknika të ndërlikuara apo shumë kohë para pasqyrës.
Më poshtë janë disa truke të thjeshta, por shumë efektive, që përdoren shpesh nga grimierët profesionistë dhe mund t’i zbatoni lehtësisht edhe vetë.
Vetullat si çelësi i ngritjes së fytyrës
Vetullat janë korniza e fytyrës dhe ndikojnë shumë në shprehjen e përgjithshme. Kur formësohen si duhet, ato mund ta “ngrenë” vizualisht pjesën e sipërme të fytyrës dhe të largojnë vëmendjen nga kapakët e rënë.
Në vend të vijave të forta dhe të ashpra, fokusohuni te natyraliteti. Zgjidhni hije pluhuri në nuancë që përputhet me qimet tuaja dhe me brushë të pjerrët mbushni boshllëqet me lëvizje të shkurtra. Qëllimi nuk është hark dramatik, por vetull e definuar butë që jep efekt më të tendosur, transmeton Telegrafi.
Rrethimi i butë i syrit që e ngre kapakun
Harrojini vijat e rënda dhe të sakta të ajlajnerit, sepse mund ta “ulin” edhe më shumë syrin. Në vend të tyre përdorni hije të errët, si e zezë ose gri e errët, dhe vendoseni pranë vijës së qerpikëve.
Truku kryesor është në këndin e jashtëm të syrit: bashkoni lehtë vijën e sipërme me atë të poshtme dhe zbuteni drejt tëmthave. Kjo teknikë krijon iluzionin e ngritjes së kapakut.
shutterstock
Loja e dritës dhe hijes për më shumë thellësi
Te kapakët e rënë është e rëndësishme të krijohet thellësi aty ku mungon natyrshëm. Nuancat më të errëta, si kafeja apo çokollata, vendosini në pjesën e jashtme të palës së kapakut.
Më pas, poshtë vetullës shtoni nuancë të çelët, si fildishi apo shampanjë e butë. Ky kontrast e shtyn shikimin lart dhe zvogëlon vizualisht lëkurën e tepërt në kapakë.
Qerpikët që hapin shikimin
Nëse ka një hap që bën dallimin më të madh, janë qerpikët. Pajisja për lakimin e qerpikëve është e vogël, por me efekt të madh. Para maskarës, gjithmonë lakoni qerpikët, sepse ky hap e “hap” syrin.
Maskarën vendoseni në dy shtresa, por fokusin mbajeni në mesin e syrit. Kështu arrihet efekti i syve më të mëdhenj dhe më të zgjuar, pa rënduar cepat e jashtëm.
Grimi i mirë nuk i ndryshon tiparet e fytyrës, por i thekson në mënyrën e duhur. Kur t’i zotëroni këto truke, kapakët e rënë nuk do të jenë më problem, por vetëm një tipar që dini ta përdorni në favorin tuaj. /Telegrafi/