Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar nga 30 ditë paraburgim për pesë të pandehur, të dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me narkotikë.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për të pandehurit me inicialet I.S., F.S., A.C., A.E. dhe V.S, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse të pandehurit lihen në liri, ata mund të pengojnë zhvillimin e procedurës penale, të ndikojnë në prova dhe dëshmitarë, si dhe t’i shmangen ndjekjes penale.
Një tjetër arsye e paraqitur nga gjykata është edhe rreziku i arratisjes, pasi disa prej të pandehurve janë shtetas të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të pandehurit të përsërisin veprat e njëjta ose të kryejnë vepra të tjera penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

