Pas një periudhe në krye të “Dardaneve”, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Sami Sermaxhaj ka bërë të ditur se nuk do ta vazhdojë punën në këtë pozitë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, përzgjedhësi ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i Kombëtares së Kosovës për femra.
Në mesazhin e tij, ai ka reflektuar për periudhën e kaluar, duke shprehur mirënjohje për futbollistet, stafin dhe të gjithë ata që ishin pjesë e rrugëtimit të tij me “Dardanet”.
Largimi vjen pas një periudhe gjatë së cilës ai udhëhoqi Kombëtaren e Kosovës në garat ndërkombëtare, ndërsa tani skuadra pritet të nisë një kapitull të ri.
Postimi pa ndërhyrje i Sami Sermaxhajt
Falenderim Federatës së Futbollit
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në veqanti Kryetarit Agim Ademi për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin që më ka ofruar gjatë gjithë periudhës së udhëheqjes së Përfaqësueses A të vajzave të Kosovës.
Një falënderim i veçantë shkon për gjithë stafin dhe vajzat e Kombëtares. Puna me to ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe një privilegj shumë i madh për mua. Jam krenar për përkushtimin, profesionalizmin dhe shpirtin e tyre luftarak, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
U uroj vajzave të Kombëtares shumë suksese në të ardhmen, shëndet, përparim dhe sa më shumë arritje të bukura me fanellën e Kosovës. Do ta kujtoj gjithmonë me shumë respekt dhe mirënjohje kohën e kaluar së bashku.
Sinqerisht Sami Sermaxhaj!
/Telegrafi/
