Është përuruar Qendra e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, projekt i realizuar me financim të Komunës së Skenderajt dhe organizatës Qatar Charity.
Sipas njoftimit, investimi synon krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe avancimin e kujdesit parësor shëndetësor për qytetarët e kësaj komune.
Megjithatë, pavarësisht përurimit, qendra ende nuk ka nisur të ofrojë shërbime shëndetësore.
Në njoftim bëhet e ditur se funksionalizimi i saj nuk ka filluar për shkak të procedurave që janë duke u zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Lidhur me fillimin e punës dhe ofrimin e shërbimeve, qytetarët do të njoftohen me kohë për datën e fillimit të funksionalizimit të kësaj qendre”, thuhet në njoftim.
Komuna e Skenderajt ka falënderuar Qatar Charity për mbështetjen në realizimin e projektit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të partnerëve në realizimin e projekteve me interes për qytetarët. /Telegrafi/