Reshjet e borës kanë përfshirë disa pjesë të Kosovës gjatë orëve të fundit, ndërsa rrugët që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar vazhdojnë të jenë të kalueshme.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, borë është evidentuar në disa akse rrugore, ndërsa në asnjërën prej tyre nuk raportohet prani e akullit, mjegullës apo rrëshqitje dheu.
Megjithatë, në disa segmente qarkullimi mund të jetë më i vështirë për shkak të borës, raporton IndeksOnline.
Rrugët Pejë–Kullë, Prishtinë–Mutivodë dhe Podujevë–Merdarë vlerësohen si të kalueshme, por me vështirësi.
Ndërkaq, me borë janë raportuar edhe magjistralet Mitrovicë–Bërnjak, Gjakovë–Qafë e Morinës, Gjakovë–Qafë e Prushit, Gjilan–Dheu i Bardhë, Fushë-Pajtimi–Glloboçicë, Kaçanik–Hani i Elezit, Mitrovicë–Jarinje, Gjilan–Muçibabë, Stançiq–Gjilan dhe Prizren–Vërmicë, por ato figurojnë si të kalueshme.
Autoritetet rekomandojnë kujdes për drejtuesit e automjeteve gjatë qarkullimit në kushtet e reshjeve të borës. /IndeksOnline/

