Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural e Komunës së Drenasit ka nxjerrë aktvendim për përcaktimin e çmimit orientues të shërbimeve të korrje-shirjeve të drithërave të bardha në territorin e komunës.
Sipas këtij aktvendimi, çmimi orientues për shërbimet e korrje-shirjeve të grurit, elbit, tërshërës dhe thekrës është caktuar në 140 euro për hektar, ndërsa çmimi përfundimtar do të përcaktohet me marrëveshje ndërmjet fermerëve dhe autokombajnerëve.
Në aktvendim theksohet se pajisjet dhe makineritë bujqësore duhet të jenë në gjendje të rregullt teknike, me qëllim të uljes së humbjeve gjatë procesit të korrje-shirjes, si dhe të jenë të pajisura me mjetet e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve.
“Me këtë aktvendim, çmimi orientues është caktuar në 140 euro për hektar, ndërsa çmimi përfundimtar i shërbimit përcaktohet me marrëveshje ndërmjet fermerëve dhe autokombajnerëve”, thuhet në njoftim.
Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se zbatimi i aktvendimit do të mbikëqyret nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspeksionit dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
“Autokombajnat duhet të jenë në gjendje të mirë teknike, me qëllim të minimizimit të humbjeve gjatë korrje-shirjes, si dhe të pajisen me mjetet e nevojshme për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve, në përputhje me kërkesat e përcaktuara”, theksohet më tej në aktvendim.
Po ashtu, është bërë e ditur se për moszbatimin e dispozitave të aktvendimit do të ndërmerren masat përkatëse nga organet kompetente komunale. /Telegrafi/
