Sonte (e martë) mbrëma, Arsenali dhe Atletico Madridi zbresin në fushë për aktin e fundit të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve me fituesin që siguron kualifikimin në finalen e madhe për edicionin 2025/26.
Ndeshja e parë mes dy skuadrave në “Metropolitano” u mbyll baras 1-1 dhe sonte në “Emirates” gjithçka është e hapur Asnjë avantazh real. Asnjë hapësirë për gabime. 90 minuta që peshojnë një sezon i tërë për dy skuadrat.
Arsenali kërkon të rikthehet në një finale të madhe evropiane pas 20 vitesh, i shtyrë nga publiku dhe ritmi i lartë në shtëpi. Por, përballë është Atletico – një skuadër që jeton për netë të tilla. E fortë, e disiplinuar dhe vdekjeprurëse në tranzicion. Një gol mund të ndryshojë gjithçka. Një moment pakujdesie mund të kushtojë eliminimin.
Presioni është maksimal. Intensiteti do të jetë brutal. Çdo duel ka peshë finaleje. Në një përballje ku baraspesha dominoi në ndeshjen e parë, detajet do të vendosin fituesin. Kush gabon, bie. Kush reziston, shkon në finale.
Nesër (e mërkurë), skena zhvendoset në Gjermani. Bayern Munich pret Paris Saint-Germain me rezultatin e ndeshjes së parë 5-4. PSG vjen me avantazh minimal, por Bayern në “Allianz Arena” është një tjetër histori. Një tjetër natë e madhe. Një tjetër biletë për finalen në lojë. /Telegrafi/