Kryeministri kanadez, Mark Carney, planifikon të vizitojë këtë muaj Turqinë, ku do të takohet me presidentin Recep Tayyip Erdogan.
Kjo do të ishte vizita e parë e një kryeministri kanadez në Turqi për një takim të veçantë dypalësh, raporton Reuters.
Carney dhe Erdogan pritet të diskutojnë për negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë, të cilat i nisën në margjinat e samitit të NATO-s në Ankara në korrik. Në fokus pritet të jenë edhe bashkëpunimi në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes.
Ministrat e Tregtisë të Kanadasë dhe Turqisë kanë rënë dakord këtë javë për përshpejtimin e negociatave, në prag të takimit mes dy liderëve.
Vizita shihet si një tjetër hap i Carneyt për ndryshimin e traditës diplomatike kanadeze, në përpjekje për të zvogëluar varësinë e vendit nga Shtetet e Bashkuara, partneri i tij më i madh tregtar. Kjo vjen pasi negociatat tregtare me SHBA-në dështuan në gusht.
Carney ka premtuar se gjatë dekadës së ardhshme do ta dyfishojë tregtinë e Kanadasë me vendet e tjera, duke përjashtuar SHBA-në. Në këtë kuadër, ai ka intensifikuar përpjekjet për forcimin e marrëdhënieve me disa vende, përfshirë Kinën dhe Indinë.
Ndërkohë, Turqia, ekonomia në rritje e së cilës ka Bashkimin Evropian si partnerin më të madh tregtar, po kërkon gjithashtu partneritete dhe investime në energji, infrastrukturë dhe sektorin minerar.
Nuk dihet që ndonjë kryeministër kanadez në dekadat e fundit të ketë zhvilluar një vizitë të veçantë dypalëshe në Turqi. Kryeministrat kanadezë janë takuar me Erdoganin dhe liderë të tjerë turq në margjinat e samiteve shumëpalëshe, përfshirë ato të NATO-s dhe G20. /Telegrafi/