Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë 16 muajve të fundit ka ngritur gjithsej 139 aktakuza ndaj 142 personave, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi pa leje”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë vitit 2025 prokurorët kanë ngritur 112 aktakuza kundër 113 personave, pas veprimeve hetimore të zhvilluara për këtë vepër penale.
Ndërkaq, në periudhën janar–prill 2026, Prokuroria bën të ditur se janë ngritur edhe 27 aktakuza ndaj 29 personave për “ndërtim pa leje”.
Prokuroria Themelore në Pejë thekson se do të vazhdojë me veprime konkrete hetimore dhe ligjore ndaj çdo personi që vepron në kundërshtim me ligjin.
“Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha veprave penale, me theks të veçantë ndaj ndërtimeve pa leje… me qëllim të mbrojtjes së rendit juridik dhe interesit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
