KORREKT / SOT20 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

PePeKo organizon edicionin e gjashtë të Food Sector Forum, diskutohen mundësitë për eksport dhe financim të agrobizneseve

PePeKo organizon edicionin e gjashtë të Food Sector Forum, diskutohen mundësitë për eksport dhe financim të agrobizneseve

Mundësitë e zgjerimit të eksporteve të produkteve vendore, përfitimet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n dhe qasja në financim për agrobizneset kanë qenë në fokus të edicionit të gjashtë të Food Sector Forum 2026, të organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), raporton Ekonomia Online.

Drejtori ekzekutiv i PePeKo-s, Hartim Gashi, ka thënë se industria ushqimore ka rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës, ndërsa sfida kryesore mbetet jo vetëm rritja e prodhimit, por edhe sigurimi i tregjeve të reja dhe të qëndrueshme për produktet vendore.

“Food Sector Forum është një platformë ku zëri i industrisë takohet me vendimmarrësit, ku sfidat e biznesit diskutohen ndërmjet partnerëve të ndryshëm dhe, njëkohësisht, krijohen bashkëpunime dhe zgjerohen investimet në industrinë e ushqimit. Industria ushqimore është një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës. Ajo lidh fermerët me industrinë përpunuese dhe tregun, krijon vende të reja të punës, gjeneron vlerë të shtuar dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, tha ai.

Gashi ka vlerësuar se industria ushqimore ka shënuar transformim gjatë viteve të fundit, por potenciali i saj ende nuk është shfrytëzuar plotësisht.

“Gjatë viteve të fundit kemi parë një transformim shumë të rëndësishëm të kësaj industrie. Mendoj që potenciali ynë mbetet akoma i pashfrytëzuar. Sfida jonë nuk është vetëm të prodhojmë më shumë, mirëpo të sigurojmë tregje të reja dhe tregje të qëndrueshme për produktet të cilat prodhohen nga kompanitë tona”, tha ai.

Gasgi ka theksuar se përmes forumit synohet lidhja e prodhuesve kosovarë me blerës nga vendi dhe diaspora, si dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim me tregjet evropiane.

Sipas tij, për këtë nevojiten politika të qëndrueshme mbështetëse, qasje më e lehtë në financim dhe investime në teknologji.

“Pikërisht për këtë arsye, ne po realizojmë edhe edicionin e 6-të të Food Sector Forum, duke synuar që ta lidhim ofertën e Kosovës me kërkesën apo me blerësit nga Kosova dhe diaspora, duke synuar që të krijojmë kontakte dhe lidhje të reja konkrete të bashkëpunimit dhe, njëkohësisht, t’i shfrytëzojmë edhe potencialet e tregut në vendet e Evropës e gjetiu. Për të realizuar këtë ambicie, bizneset tona kanë nevojë për politika të qëndrueshme mbështetëse, qasje më të lehtë në financim, investime në teknologji dhe mbështetje konkrete për eksporte”, tha Gashi.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Tregtisë, Zef Dedaj, ka folur për mundësitë që Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, ku bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda, u ofron bizneseve kosovare, pas hyrjes së saj në fuqi më 1 tetor të këtij viti.

Dedaj ka thënë se eksportet e Kosovës janë rritur nga 470 milionë euro në vitin 2021 në 952 milionë euro vitin e kaluar, ndërsa këtë vit pritet të arrijnë në një miliard euro.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 eksportet e Kosovës në shtetet e EFTA-s ishin rreth 100 milionë euro, ndërsa importet 53 milionë euro.

“Nëse analizojmë statistikat e eksportit, të cilat deri në vitin 2021 kanë qenë vetëm 470 milionë euro, e kryesisht të dominuar nga metalet, produktet metalike ose edhe mbeturinat të cilat jo patjetër kanë një vlerë të lartë të shtuar, e nëse i krahasojmë me ato të vitit të kaluar, të cilat kanë qenë 952 milionë euro, dhe gjasat tani janë këtë vit që të arrijnë 1 miliard euro, E kur flasim për metalet e për këto, vjen në statistikat e EFTA, pra, Kosova prezantonte rreth 8% të pjesëmarrjes në treg në nivel total për Zvicrën. Pra, aktualisht kemi pasur vitin e plotë të vitit 2025, kemi pasur rreth 100 milionë euro eksporte në shtetet e EFTA. Mirëpo, kemi pasur vetëm 53 milionë importe”, tha ai.

Sipas Dedajt, Zvicra ka rol të rëndësishëm në bilancin tregtar të Kosovës me shtetet e EFTA-s, ndërsa Norvegjia paraqet një tjetër mundësi për eksportin e mallrave kosovare.

Ai ka përmendur edhe bilancin pozitiv në tregtinë e shërbimeve.

“Pra, çka do të thotë kemi pasur bilanc pozitiv tregtar, ka qenë determinuese Zvicra, edhe pa dyshim që këto unë takova biznese nga diaspora, ata i kanë meritat e veta në këtë aspekt. Mirëpo, kur flasim për mallrat dhe për produktet e juaja, pas Zvicrës, mbetet edhe Norvegjia, ndërsa Islanda dhe Litenshtajni i shoh shumë të rëndësishme në aspektin e shërbimeve. Ndërsa, përveç mallrave që kemi bilanc pozitiv tregtar, kemi bilanc jashtëzakonisht të lartë pozitiv tregtar edhe te shërbimet, pra, kemi rreth 604 milionë euro eksport për këto shtete, derisa vetëm 54 milionë import. Pra, në të dy aspektet, bilanc pozitiv tregtar”, tha ai.

Në forum është diskutuar edhe qasja në financim për agrobizneset përmes Dritares Agro dhe Dritares për Eksport.

Shkodrane Zariqi-Bogiqi, specialiste e lartë për analizë dhe zhvillim të produkteve në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, ka shpjeguar objektivat e këtij institucioni dhe mënyrën se si ofrohen garancitë kreditore përmes institucioneve financiare.

Ajo ka thënë se një nga synimet kryesore të fondit është rritja e kreditimit për bizneset dhe përkrahja e zhvillimit ekonomik përmes krijimit të vendeve të reja të punës, rritjes së prodhimit vendor dhe përmirësimit të bilancit tregtar.

“Fondi Kosovar ofron garanci kreditore për institucionet financiare kreditore. Fondi Kosovar i ka 4 objektiva. Fondi Kosovar, përmes objektivës së tij, rritjes në qasjen në financa, synon të rritë kreditimin për bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, përmes institucioneve financiare të regjistruara që kanë marrëveshje patjetër me Fondin Kosovar. Shtylla e dytë, ose objektiva e dytë, është rritja ekonomike përmes rritjes së kreditimit. Ne synojmë që të rrisim ose të krijojmë vende të reja të punës, të rrisim prodhimin vendor, të përmirësojmë bilancin tregtar dhe gjithashtu të forcojmë rrjetin e sigurisë sociale dhe reduktimin e varfërisë”, tha ajo.

Zariqi-Bogiqi ka theksuar se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore synon të lehtësojë qasjen në financa edhe për bizneset që tradicionalisht kanë pasur më shumë vështirësi në sigurimin e kredive, përfshirë startup-et, agrobizneset dhe bizneset e udhëhequra nga gratë.

“Shtylla e tretë, ose objektiva e tretë, është përfshirja financiare. Çka nënkupton kjo? Pra, përmes Fondit Kosovar, ne vazhdimisht përkujdesemi dhe jemi të përkushtuar që të ofrojmë rritje të qasjes në financa gjithashtu edhe për sektorët ose bizneset të cilët janë trajtuar si shoqëri të margjinalizuara dhe kanë pasur qasje të kufizuar në financa, si për shembull startup-et, agrobizneset dhe gratë në biznes. Pra, vazhdimisht kemi lansuar dritare të reja që e kanë trajtuar pikërisht këtë nevojë të këtyre bizneseve, që t’u mundësohet rritja e qasjes në financa. Dhe shtylla e fundit, ose objektiva e fundit, por jo më pak e rëndësishme, është edhe stabiliteti i institucionit. Ne vazhdimisht, domethënë, vazhdimi i funksionimit të institucionit tonë stabil dhe i pavarur, duke siguruar që të jemi stabil në treg dhe që të mos japim stimuj të gabuar ose të papërshtatshëm për ekonominë edhe për sektorin bankar”, tha ajo.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.