Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka mbajtur një punëtori dyditore, gjatë së cilës janë shqyrtuar pesë projektakte nënligjore që synojnë rregullimin dhe avancimin e proceseve të punës në sistemin prokurorial.
Sipas njoftimit të KPK-së, punëtoria është udhëhequr nga kryesuesi i Komisionit, Visar Krasniqi, ndërsa në të kanë marrë pjesë edhe kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, anëtarë të Komisionit dhe përfaqësues të Sekretariatit.
Projektaktet e shqyrtuara përfshijnë:
Ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për shtesat dhe kompensimet për të punësuarit në sistemin prokurorial.
Udhëzimin administrativ për caktimin e normës orientuese për prokurorët e shtetit;
Rregulloren për angazhimin dhe kompensimin e përkthyesve dhe interpretëve;
Udhëzimin administrativ për përdorimin e automjeteve zyrtare;
Udhëzimin administrativ për procedurat e kompensimit të mbrojtësve me shpenzime publike.
Sipas KPK-së, gjatë punëtorisë janë shqyrtuar komentet dhe propozimet e paraqitura për këto akte, me synimin e harmonizimit dhe përmirësimit të mëtejmë të tyre.

