Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar kontratë 312 mijë euro për furnizim me 600 tonë pelet, me çmim prej 520 eurosh për ton.
Marrëveshja gjashtëmujore u lidh më 6 tetor 2026, përmes procedurës së negociuar, ku figuron vetëm një ofertë e pranuar, ajo e kompanisë DnA Core L.L.C. Komuna kishte paraparë 252 mijë euro, por kontrata u nënshkrua për 60 mijë euro më shumë.
Kiks Kosova ka krahasuar çmimin e Podujevës me kontrata të komunave të tjera, të cilat kanë siguruar pelet dukshëm më lirë.
Kamenica ka kontraktuar 295 euro për ton, Lipjani 329 euro, Vushtrria 350 euro, ndërsa Fushë Kosova 384 euro. Nëse Podujeva do të paguante çmimin e Kamenicës për të njëjtën sasi prej 600 tonësh, fatura do të ishte 135 mijë euro më e ulët.
Kontrata e re vjen pavarësisht se në shtator të vitit 2025, Podujeva kishte nënshkruar një marrëveshje kornizë trevjeçare për furnizim me pelet, me çmim prej 203 eurosh për ton. Marrëveshja me grupin e kompanive Evergreen Timber dhe Marigona AU parashihte 1.300 tonë pelet, me vlerë indikative prej 263.900 eurosh. Pronari i Evergreen Timber, Blerim Vitija, i tha Kiks Kosova se kompania ishte tërhequr nga kontrata në pranverën e këtij viti, pasi çmimi i peletit ishte rritur ndjeshëm. Vitija, sipas fotografive dhe publikimeve në rrjete sociale të shqyrtuara nga Kiks-i, ka shprehur publikisht përkrahje për Lëvizjen Vetëvendosje.
Edhe kompania që përfitoi kontratën e re lidhet me një përfaqësues të Vetëvendosjes. Aridon Sylejmani, përfaqësues i DnA Core, ishte prezantuar në një njoftim partiak të gushtit 2022 si kryetar i një pike të kësaj partie. Kompania, e themeluar në mars të vitit 2025, ka përfituar edhe një marrëveshje kornizë deri në 120 mijë euro nga Komuna e Kamenicës për mirëmbajtje të terreneve dhe furnizim me rekuizita sportive. Në prill të vitit 2023, Sylejmani ishte angazhuar po ashtu nga kjo komunë si konsulent ndërtimi, për 9.480 euro.
Kiks Kosova e ka pyetur Komunën e Podujevës për bazën ligjore dhe rrethanat që e arsyetuan procedurën e negociuar, si dhe për dokumentet e negocimit, por deri në publikimin e materialit nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik lidhur me atë nëse ka pranuar sqarim nga komuna për përdorimin e kësaj procedure. Sylejmanit i janë dërguar pyetje për kontratën dhe angazhimet e kompanisë, por ai nuk është përgjigjur deri në publikim.

