Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar shpenzime prej 213 mijë e 566.31 eurosh për periudhën korrik-shtator 2026. Në raportin financiar të subjektit politik figurojnë shpenzime për shërbime kontraktuese, qira, marketing, informim publik dhe kategori të tjera, ndërsa për blerjen e një veture janë ndarë 8 mijë euro.
Shpenzimet e përgjithshme janë ndarë në tri periudha mujore. Në muajin e parë janë deklaruar 3 mijë e 450.42 euro, në të dytin 93 mijë e 175.57 euro, ndërsa në të tretin 116 mijë e 940.32 euro, shkruan lajmi.net.
Një nga kategoritë me shpenzimet më të larta është ajo e shërbimeve të tjera kontraktuese, ku janë deklaruar gjithsej 28 mijë e 673.13 euro. Nga kjo shumë, 10 mijë e 973.13 euro janë shpenzuar në njërin muaj, ndërsa 17 mijë e 700 euro në muajin tjetër të periudhës së raportimit.
Për qiranë e ndërtesës, PDK-ja ka deklaruar gjithsej 16 mijë e 225.18 euro. Nga kjo shumë, 1 mijë e 772.88 euro janë regjistruar në muajin e parë, 582.02 euro në të dytin dhe 13 mijë e 870.28 euro në të tretin.
Në kategorinë e marketingut dhe informimit publik figurojnë shpenzime prej 14 mijë e 245.48 eurosh. Prej tyre, 271.39 euro janë deklaruar në muajin e parë, 8 mijë e 5.77 euro në të dytin dhe 5 mijë e 968.32 euro në të tretin.
Dokumenti përfshin edhe 4 mijë e 575.98 euro për furnizime me ushqim dhe pije, si dhe 5 mijë e 113.38 euro për blerje të tjera të mallrave dhe shërbimeve.
Për shpenzimet e përfaqësimit, përfshirë drekat zyrtare, janë deklaruar 2 mijë e 737.10 euro. Ndërkaq, shpenzimet për energji elektrike arrijnë në 3 mijë e 688.44 euro, ndërsa për shërbimet e telekomunikimit janë raportuar 79.02 euro.
Një nga shpenzimet e veçanta të paraqitura në dokument është blerja e një veture, për të cilën janë deklaruar 8 mijë euro.
Donacionet dhe kontributet arrijnë në 1 mijë e 200 euro
Përveç shpenzimeve, PDK-ja ka deklaruar edhe donacione dhe kontribute në të holla në vlerë të përgjithshme prej 1 mijë e 200 eurosh, sipas shumës së shënuar në fund të dokumentit financiar. /Lajmi.net/

