Pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kanë ardhur reagimet e para nga bashkëpartiakët e tij, të cilët e kanë falënderuar për bashkëpunimin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë ndër vite.
Arian Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi dhe Vlora Çitaku kanë shprehur publikisht respektin dhe mirënjohjen e tyre për Hamzën, duke vlerësuar bashkëpunimin e përbashkët dhe angazhimin e tij në krye të partisë.
Shefi i Grupit Parlamentar, Arian Tahiri ka vlerësuar kontributin e Hamzës në ndërtimin dhe forcimin e PDK-së, duke theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit të tyre ndër vite.
“Pozitat janë të përkohshme, ndërsa kontributi, respekti dhe gjurmët që lëmë te njerëzit mbeten”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që Hamza i ka ofruar gjatë rrugëtimit të tij politik dhe institucional.
“Faleminderit për gjithçka, Kryetar! Respekti dhe mirënjohja ime për ty do të mbeten gjithmonë!”, ka përfunduar Tahiri.
Sekretarja e PDK-së, njëherit edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku e ka falënderuar Hamzën për bashkëpunimin gjatë periudhës sa ai ishte në krye të PDK-së, duke vlerësuar maturinë dhe besimin e treguar në një periudhë intensive për partinë.
“Bedri, ka qenë kënaqësi dhe nder të punojmë bashkë. Në një periudhë intensive, me tri palë zgjedhje nacionale në mes, maturia dhe besimi yt na kanë dhënë forcë për të ecur përpara”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se Hamza e mori përgjegjësinë e kryetarit për t’i shërbyer partisë dhe Kosovës.
“Jam e bindur se kemi ende shumë punë të mira për të bërë së bashku për PDK-në dhe Kosovën”, ka përfunduar Çitaku.
Edhe deputetja Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar pas dorëheqjes së Hamzës, duke e falënderuar për udhëheqjen dhe bashkëpunimin.
“Përtej politikës dhe funksioneve, mbeten njerëzit, respekti dhe puna e përbashkët”, ka shkruar ajo.
Musliu-Shoshi ka theksuar se largimi nga një funksion nuk e zbeh kontributin e dhënë ndër vite.
“Funksionet janë të përkohshme, por puna, karakteri dhe respekti mbeten”, ka deklaruar ajo, duke i uruar Hamzës suksese dhe shëndet në angazhimet e ardhshme.
Reagimet e tre zyrtarëve të PDK-së vijnë pas dorëheqjes së Hamzës nga drejtimi i partisë, me mesazhe falënderimi dhe mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët. /Telegrafi/

