Anglia siguroi një fitore me përmbysje 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026 në Atlanta, duke i dhënë fund një serie negative që zgjaste prej 60 vitesh.
Një dopietë e Harry Kane pas ndërprerjes për hidratim në pjesën e dytë mjaftoi që “Tre Luanët” të përmbysnin disavantazhin, pasi Brian Cipenga kishte kaluar në epërsi kombëtaren afrikane që në minutën e shtatë.
Sulmuesi i Bayern Munichut u bë futbollisti i parë i Anglisë që shënon dy gola në një ndeshje me eliminim direkt të Kupës së Botës që nga Gary Lineker, i cili e kishte arritur këtë në përballjen ndaj Kamerunit në vitin 1990.
Skuadra e Thomas Tuchelit hasi vështirësi gjatë gjithë takimit dhe paraqitja e repartit defensiv pritet të ngrejë pikëpyetje përpara përballjes së radhës ndaj Meksikës.
Edhe pse loja nuk ishte bindëse, tifozët anglezë do të jenë të kënaqur me kualifikimin, veçanërisht duke pasur parasysh se Anglia konsiderohej favorite e madhe para fillimit të ndeshjes.
Përveç kualifikimit, Anglia i dha fund edhe një statistike negative historike. Për herë të parë pas 60 vitesh, “Tre Luanët” fituan një ndeshje të Kupës së Botës pasi kishin pësuar gol të parët, duke ndërprerë një seri prej 13 ndeshjesh pa fitore në raste të tilla.
Hera e fundit kur Anglia kishte përmbysur një ndeshje në Botëror pasi kishte kaluar në disavantazh ishte finalja e vitit 1966 kundër Gjermanisë Perëndimore.
Fitorja ndaj Republikës Demokratike të Kongos ruajti gjithashtu rekordin perfekt të Anglisë ndaj përfaqësueseve afrikane në Kupën e Botës. Më herët, anglezët kishin mposhtur Kamerunin me rezultatin 3-2 në çerekfinalen e vitit 1990 dhe Senegalin 3-0 në fazën e 1/16 së finales në Botërorin e Katarit më 2022.
Tashmë Anglia do të udhëtojë drejt Meksikës, ku do të përballet me “El Tri” në stadiumin legjendar “Azteca”, një impiant ku anglezët kanë pësuar vetëm dy humbje në 88 ndeshjet e fundit të zhvilluara aty./Telegrafi/
