KORREKT / SOT3 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Paralajmërohet ndërprerja e eksportit të peshkut nga Kosova drejt Malit të Zi, DHTIK-ja kërkon ndërhyrje urgjente

Paralajmërohet ndërprerja e eksportit të peshkut nga Kosova drejt Malit të Zi, DHTIK-ja kërkon ndërhyrje urgjente

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka ngritur shqetësimin për mundësinë e ndërprerjes së eksportit të produkteve të peshkut nga Kosova drejt Malit të Zi, për shkak të kërkesave të reja që ky shtet po zbaton në kuadër të përafrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

DHTIK-ja ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, për të shmangur pengesat në eksportin e produkteve vendore, transmeton Zeri.info.

Sipas përgjigjes së pranuar nga Ministria e Bujqësisë së Kosovës, AUVK-së i është kërkuar që këtë çështje ta trajtojë me prioritet, të verifikojë bazën ligjore të kufizimeve të paralajmëruara dhe të komunikojë me autoritetet malazeze për të identifikuar kushtet që duhet të plotësohen për vazhdimin e eksporteve.

Ndërkohë, në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave të Malit të Zi, sipas DHTIK-së, është konfirmuar se kërkesat e reja përfshijnë produktet e peshkut, të freskët, të ftohtë dhe të ngrirë.

Sipas këtij sqarimi, nga 30 qershori 2027 nuk do të lejohet importi i produkteve nga vendet dhe objektet që nuk janë të përfshira në listat përkatëse të autorizuara të Bashkimit Evropian.

DHTIK-ja paralajmëron se zhvillime të ngjashme mund të prekin në të ardhmen edhe eksportin drejt Shqipërisë, e cila po përafron legjislacionin dhe standardet me ato të BE-së në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Dhoma kërkon që institucionet e Kosovës të mos presin deri në afatin e paralajmëruar, por të nisin menjëherë bisedimet me autoritetet malazeze dhe Komisionin Evropian.

Po ashtu, kërkohet që AUVK-ja të vlerësojë gjendjen e sistemit të kontrollit veterinar, të identifikojë mangësitë e mundshme dhe të hartojë një plan konkret për përmbushjen e kërkesave të nevojshme për vazhdimin e eksporteve.

DHTIK-ja kërkon gjithashtu që Ministria e Tregtisë ta ngrejë këtë çështje në kuadër të CEFTA-s, në mënyrë që të shqyrtohen mundësitë për tejkalimin e pengesave që mund të ndikojnë në tregtinë rajonale.

Sipas Dhomës, humbja e tregut malazez dhe kufizimi i mundshëm i qasjes në tregun shqiptar do të përbënin goditje për prodhuesit kosovarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik dhe mundësitë për eksport.

“Bizneset vendore nuk duhet të humbin tregjet ku tashmë kanë krijuar marrëdhënie tregtare për shkak të vonesave apo mungesës së koordinimit ndërmjet institucioneve”, thuhet në reagimin e DHTIK-së, e cila kërkon veprim urgjent nga institucionet përgjegjëse. /Zëri

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.