Sërish po ngrihen pikëpyetje për të ardhmen e Vinicius Junior te Real Madridi, pasi janë publikuar pamje ku ai shihet duke u përplasur me presidentin e klubit, Florentino Perez.
Me vetëm gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit të La Ligës, gara për titull mes rivalëve historikë Barcelona dhe Real Madrid po bëhet gjithnjë e më e nxehtë.
Aktualisht, Barcelona kryeson renditjen me 82 pikë pas fitores 1-0 ndaj Celta Vigos të mërkurën mbrëma, ndërsa Real Madridi ndodhet në vendin e dytë me 73 pikë.
Me diferencën tani në nëntë pikë dhe vetëm gjashtë javë deri në përfundim, është e kuptueshme që tifozët e Real Madridit tashmë kanë nisur të shohin përpara, drejt afatit kalimtar të verës.
Si zakonisht, “Los Blancos” po lidhen me disa emra të mëdhenj, por ndoshta historia më e madhe e afatit kalimtar që rrethon klubin lidhet me të ardhmen e një prej lojtarëve aktualë, Vinicius Junior.
Vinicius prej kohësh është përfolur për një largim nga “Bernabeu”, por duket se një transferim mund të jetë më pranë se kurrë, pasi braziliani u pa duke u futur me vrull drejt presidentit Perez.
Perez po priste në tunelin e “Bernabeut” për të përshëndetur lojtarët e ekipit, kur Vinicius iu afrua. Edhe pse i shtrëngoi dorën presidentit të klubit, më pas ai u përplas ashpër me 79-vjeçarin.
Shefi i Real Madridit u kthye menjëherë dhe e shikoi Vinicius me habi, i befasuar qartazi nga veprimi, ndërsa braziliani dukej se e injoroi reagimin dhe vazhdoi rrugën përgjatë tunelit.
Vetëm pak çaste më vonë mbërriti Kylian Mbappe, duke e bërë incidentin me Vinicius të dukej edhe më i rëndë, pasi ai e përqafoi Perezin dhe e goditi lehtë në shpinë, në shenjë përzemërsie./Telegrafi/