Në Debat Plus, gazetari Lirim Mehmetaj e ka pyetur ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, lidhur me pagesën prej 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të cilat kompania GEN-I Beograd kishte deklaruar se i kishte paguar atij.
Pyetja e Mehmetajt vjen pas raportimeve në mediat sllovene për hetimet lidhur me transaksionet financiare mes kompanisë GEN-I Beograd dhe bizneseve të Berishajt.
Në një emision të televizionit publik slloven RTVSLO, kryetari i bordit të GEN-I në Slloveni, Maks Helbl, kishte deklaruar se GEN-I Beograd i kishte paguar Berishajt 0.5 për qind të vlerës së kontratave për furnizim me energji elektrike, të cilat ai kishte ndihmuar t’i siguronin në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.
Duke iu referuar këtij raportimi, Mehmetaj e ka pyetur Berishajn nëse e konfirmon këtë deklarim dhe nëse pagesat ishin bërë me dijeninë e tij.
“Nuk e di çka jeni duke thënë, për besë. Jeni duke thirrë nëntë e gjysmë në mbrëmje… Sinqerisht nuk jam duke ju kuptuar. Ngadalë, se ia keni çuar pak ndal kësaj pune”, është përgjigjur Berishaj.
Ai më pas ka kundërshtuar atë që e ka quajtur insinuata, duke i kërkuar gazetarit të shikojë periudhën kur kishte qenë këshilltar në GEN-I.
“Pse merreni me këto insinuata? Ju duhet me pa se kur kam qenë si këshilltar në GEN-I”, ka thënë Berishaj.

